Tiranë, 28 qershor NOA - Procesi zgjedhor i ditës së sotme që sapo ka nisur, fton 3 084 261 zgjedhës që të japin votën e tyre për forcën politike që ata mendojnë se do të përfaqësojë më denjësisht interesat e tyre. Në zgjedhje, janë regjistruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 34 forca politike, si subjekte zgjedhore. Ndër to, 33 forca politike janë grupuar në katër koalicione zgjedhore. Koalicionet Aleanca për Ndryshim. Ky është një koalicion i 16 forcave kryesisht të djathta politike dhe përfshin Partinë Demokratike, si kryesuese, partia që drejton edhe mazhorancën aktuale qeverisëse. Bashkimi për Ndryshim. Është koalicioni i dytë më i madh, përfshin Partinë Socialiste, forca më e madhe e opozitës aktuale si dhe katër parti të tjera, të vogla. Koalicion tjetër i majtë, është Aleanca Socialiste për Integrim. Në të merr pjesë si kryesuese, Lëvizja Socialiste për Integrim, si dhe pesë parti të tjera. Koalicioni drejtohet nga Ilir Meta. Koalicioni i katërt që fton shqiptarët për t'i votuar, është Poli i Lirisë. Ai përfshin gjashtë parti dhe drejtohet nga Aleksandër Meksi, një ish-kryeministër i mazhorancës aktuale, në vitet 1992-1997. Kandidatura të tjera Ish-ministri i Drejtësisë, Spartak Ngjela, vjen edhe ai si një kandidaturë për zgjedhjet parlamentare. Ngjela, në krye të Partisë Ligj dhe Drejtësi, vjen si forcë politike e vetme në zgjedhje. Ndërkohë, në kryeqytet, qytetarët do të kenë si alternativë shtesë edhe një kandidaturë të pavarur, atë të Abdulla Omurit, përfaqësues i invalidëve. Këtu, gjendet Lista e partive që u rregjistruan për Zgjedhjet për Kuvend 2009 Këtu, mund të gjeni Listat shumemërore të kandidatëve të partive politike për Zgjedhjet për Kuvend 2009 /e.l/NOA/




Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA
Dizenjimi dhe mirëmbajtja nga: