Tiranë, 8 shkurt, NOA - Partia Demokratike paraqitet
e gatshme në çdo kohë që të firmosë çdo dokument i cili jetëson kërkesat e
Rezolutës së Këshillit të Evropës. Një deklaratë e tillë mbërriti sot nga selia
blu, përmes zëdhënëses të saj, Erla Mëhilli mbi gadishmërinë për zgjidhjen e krizës
politike në vend. "Edvin Kristaq Rama nga njëra anë jep ultimatume dhe kërcënon
për protesta, nga ana tjetër shpif dhe trillon se Berisha po kushtëzon tryezën",
tha në fjalën e saj Mëhilli, duke pohuar në këtë mënyrë se lideri i opozitës nuk
është gati për dialog dhe zgjidhjen e krizës ashtu siç pretendon.
"Jam sot këtu për të deklaruar në emër të Partisë Demokratike, për të ripohuar edhe një herë atë që ka deklaruar kryeministri i vendit dhe kryetari i PD-së Sali Berisha se mazhoranca aktuale mbështet pikë për pikë rezolutën e Këshillit të Evropës dhe është e gatshme për shndërrimin e të gjitha kërkesave të saj në realitet", tha më tej Mëhilli, duke paraqitur qëndrimin e PD-së.
Sipas saj, pretendimet e Partisë Socialiste se Berisha kushtëzon tryezën te presidenti, janë thjesht një formë për të maskuar interpretimin kokëposhtë të rezolutës së KE-së, sikur ajo përfaqëson një dokument që shpërblen bojkotin.
n.e/NOA
| Komente |
|

