Ankara, 8 mars, NOA - "Nga tryezat në familje
dhe deri në tryezat e vendimmarrjes, gratë duhet të luftojnë për të garantuar
çfarë u takon, për zotësi apo inteligjencë, për aftësi apo potecial të dhënë nga perëndia; në çdo çast ato duhet të përpiqen të
sfidojnë kohën".
Ky ka qenë mesazhi i dhënë nga kryeparlamentarja
Topalli, e ftuar speciale nga kryeministri turk, Erdogan, në Samitin botëror
për të drejtat e grave "Gratë sfidojnë kohën në shtëpi e shtet".
Sipas saj, është sfidë e përditshme ajo e grave për demokraci në shtëpi, në treg dhe në shtet, për të mos qenë një shërbëtore në familje dhe e shoqërive tona.
"Në fund të kësaj dite, secila prej nesh merr me vete një udhërrëfyes për iniciativa konkrete dhe një axhendë për të arritur barazi gjinore dhe tok me to moton tonë "Të mos dorëzohemi asnjëherë! Sepse ne kemi forcën të qëndrojmë në këmbë, kemi guximin për të ndryshuar dhe jemi bërëse të ndryshimit", tha më pas Topalli.
Sipas saj, gratë e mbarë botës ndajnë një të
ardhme të përbashkët, prandaj zëri i tyre nuk duhet të jetë ai i një dite, i një
date, por i çdo dite të jetës.
Në fund, Topalli ka deklaruar se "sa herë jemi bashkë, është apel për veprim, për
ndërgjegjësim se në shoqërinë ku gruaja është e respektuar dhe e trajtuar me
dinjitet, ka
dashuri për fëmijët dhe familjet, ka shpresa dhe ëndrra për një të ardhme të fortë
të perbashkët në Lindje dhe në Perëndim".
Samiti "Të drejtat e gruas bashkojnë Lindjen
dhe Perëndimin" mblodhi gra lidere nga gjithë bota, deputete e senatore nga
Spanja, Danimarka, Pakistani, Suedia, Ballkani, Lindja etj, për të shkëmbyer
eksperiencat e tyre në përballje me mendësitë, traditat, paragjykime dhe sfidat.
n.e/NOA
| Komente |
|

