Transmetuar më 27-08-2012, 09:12

Shkup, 27 gusht 2012, NOA – Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani në një intervistë për revistën maqedonase “Gragjanski” ka theksuar se në Maqedoni duhet të krijohen kushte për një qeveri teknike, që do të zgjidh emrin dhe do  të organizojë zgjedhjet.

Kjo është theksuar nga kryetari i RDK-së pas skenarëve të partive në pushtet për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare në pako me ato lokale, në marsin e 2013.

“Nëse qëllimi i ngritjes së tensioneve përmes Qeverisë është që të ngritet rejtingu i VMRO-DPMNE dhe BDI për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, për opozitën do të ishte e pranueshme që të krijohen kushtet për një qeveri teknike, e cila do të zgjidhte emrin dhe do të organizojë zgjedhje korrekte”, deklaroi Osmani.

Ai ka folur edhe për bashkëpunimin me PDSH dhe bllokun e paralajmëruar opozitar midis LSDM dhe PDSH si dhe arsyet e mosbashkëngjitjes. “Vendimi ynë për mosbashkëpunim me LSDM dhe PDSH është përfundimtar, për shkak se kemi dallime të mëdha thelbësore në programe, kuadro dhe vizione për zgjidhjen e problemeve. Ndërkohë, po tregohet se bashkëpunimi midis LSDM dhe PDSH është për qëllime të shkurtra, për shkak se ata nuk kanë qëndrime të harmonizuara për asnjë çështje politike”, deklaroi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.

noa.al