Transmetuar më 13-11-2012, 08:30

Shkup, 13 nëntor 2012, NOA – Maqedonia është drejt miratimi të një ligji për ndalimin e telenovelave turke në televizione. Ministri për Shoqëri Informatike në Maqedoni, Ivo Ivanovski ka paralajmëruar sanksione dhe reduktime të serialeve. Ai ka theksuar se do të miratohet ligji për media, ku parashikohen heqje dhe shkurtim i serialeve turke nga skenat programore të televizioneve.

Ministri Ivanovski ka përdorur edhe një fjalor të ashpër para simpatizantëve partiak të VMRO-DPMNE në Manastir. “Mjaft më ishte robëria turke”, tha ai, duke aluduar në vërshimin masiv të serialeve turke nëpër televizione.

Shoqatat turke kanë reaguar kundër ministrit Ivanovski, duke theksuar se deklarimet e tilla godasin ndjenjat e turqve.  “Ne reagojmë ashpër kundër deklaratës së ministrit Ivanovski lidhur me paralajmërimin e tij për të shkurtuar kohën e televizioneve për serialet turke në mediat maqedonase”, ka reaguar Shoqata “Mendimtarët e Ataturkut” në Maqedoni.

Ministri maqedonas ka theksuar se respekton serialet turke dhe produksionet e tyre, por është koha që televizionet të ndryshojnë këto seriale me seriale maqedonase. Ai ka nënvizuar se në këtë mënyrë stimulohen produksionet vendase.

a.k/noa.al