Transmetuar më 30-08-2015, 21:13

Roma fiton 2-1 ndaj Juventusit në sfidën delikate për titullin, të luajtur prej javës së dytë të Serisë A italiane. Një rezultat që i shkakton kampionëve në fuqi disfatën e dytë radhazi dhe shënon një prej momenteve më të dobëta në histori për bardhezinjtë.

Në fakt, “Zonja e Vjetër” nuk kishte humbur asnjëherë dy ndeshjet e para të kampionatit.

Ende pa kaluar një minutë lojë, Roma pretendon një 11-metërsh.

Mandzukic pengon në zonë Florenzin, por sipas gjyqtarit Rizzoli loja duhej të vazhdonte. Një vendim i diskutueshëm dhe verdhekuqtë që ankohen me të drejtë. Me përforcimet e reja dhe Pjanic në rolin e regjisorit, Juventusi duket i pafuqishëm përballë Romës. Megjithatë, rasti më i mirë i pjesës së parë është shtylla e goditur pikërisht nga Pjanic në të 24-ën.

Festa e prishur nuk e demoralizon boshnjakun, që në të 61-ën zhbllokon shifrat me një ekzekutim të shkëlqyer nga goditje dënimi. Topi i goditur me klas kalon murin mbrojtës, ndërsa Buffon vetëm sa e shoqëron me sy drejt rrjetës.

Pa organizimin dhe grintën e duhur Juventusi tenton të reagojë me Pogba, devijimi me kokë i të cilit përfundon mbi portë. As aktivizimet e Pereyra e Cuadrado-s dhe ndryshimi i skemës me tre sulmues nuk i ndihmon miqtë.

Përveç tre lojtarëve të rëndësishëm në merkaton e verës, bardhezinjtë kanë humbur edhe personalitetin dhe grintën në fushë. Kartoni i kuq i Evra në të 78-ën ishte shenja e dorëzimit. Vetëm pak sekonda më pas, Dzeko dyfishon shifrat me kokë për Romën, pas harkimit të Iago Falque. Në momentin kur Juventusi zgjohet është tepër vonë. Goli i Dybala erdhi në të 87-ën, ndërsa dy minuta më pas ishte portieri Szcesny ai që mbrojti suksesin e Romës, me një pritje të shkëlqyer duke evituar golin e Bonuçi-t.

Dy ndeshje, dy humbje. Të thuash se Juventusi nuk mund ta fitojë sërish titullin është ende shpejt. Por, një disfatë historike dhe lajmi se bardhezinjtë janë në kuotën e zero pikëve nuk lë indiferent askënd.