Transmetuar më 19-06-2016, 15:55

Foto arkiv

Tragjedi rrugore me dy të vdekur në autostradën që lidh Shkupin me Tetovën, policia publikon emrat e viktimave që ishin në moshë fare të re.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e sotme (e Diel), kur 20 vjeçari Arben Bllaca dhe 25 vjeçari Abil Asani, ishin duke udhëtuar me një motoçikletë në autostradën Shkup-Tetovë, pranë pikës së karburantit, “Petrol Company”.

Zëdhënësi i Policisë së Tetovës, Marjan Josifoski, tha për mediat lokale se aksidenti ka ndodhur kur motoçikleta “Yamaha” për shkaqe ende të panjohura ka dalë nga rruga dhe si pasojë e goditjes së marrë të rinjtë kanë humbur jetën.

“Motoçikleta është përplasur në mur. Nga goditja dy persona në vendngjarje kanë humbur jetën. Bëhet fjalë  për dy tetovarë, njëri i moshës 25 vjeçare dhe i dyti i moshës 20 vjeçare”, – tha Josifoski.

“Prokurori Publik është në vendngjarje, ndërsa të pranishëm janë edhe ekipe të policisë dhe mjek nga mjekësia ligjore. Të gjithë aktivitetet e mëtejshme do t’i udhëheqë Prokurori Publik dhe ai do të vendosë nëse trupat e të ndjerëve do të dorëzohen për obduksion ose do t’u jepen familjarëve”, shtoi ai.

Sakaq, aksidenti është përcjellë me dhimbje dhe trishtim nga familjarë, të afërm e miq të viktimave, sidomos në rrjetet sociale.

Dy të ndjerët, postimin e fundit në rrjetin social Facebook duket se e kishin tifozllëk për Shqipërinë, teksa kanë përdorur hashtag-un ‪#‎ALB.