Transmetuar më 10-08-2016, 08:35

Janë momentet kur dielli po perëndon dhe plazhistët i janë drejtuar xhiros së darkës. Në plazhin e Shëngjinit është një prej pedonaleve më të bukura nga të gjitha zonat turistike të vendit e cila u pat ndërtuar para zgjedhjeve të vitit 2013.

Ky investim modest në dukje ia ka rritur vlerën qytetit të vogël, duke “joshur” edhe turistë nga Jugu të cilët nuk i kanë traditë pushimet në këtë zonë. Por në anë të saj, të pas filizave të palmave, koshat janë plot e përplot me plehra. Duket se kanë kohë pa u zbrazur pasi pirgje të tjera mbeturinash janë vënë rreth tyre. Era që kutërbojnë i ka irrituar të gjithë, por sërish ata zgjedhin të ecin. Kanë paguar shumë për këto pushime! Po më të guximshmit janë ata policët. Një grup nga policia bashkiake është akomoduar në shëtitore, pranë tyre janë nja pesë gjashtë policë të rendit. Një grup tjetër nga policia tatimore ka zbarkuar nëpër tezga kioska e lokale për kuponin tatimor. Policia rrugore matanë në hyrje të qytetit ditë për ditë ndërron tabelën e qarkullimit në dy rrugicat hyrëse në plazh duke provokuar me dashje gjobat për turistët nga Kosova të cilët nuk i njohin këto hile.

E teksa i gjithë shteti ka zbarkuar në plazhe për të kërkuar llogari, për qarkullimin, për kuponin dhe për taksat e bashkisë asnjë nga autoritetet policore nuk po tregon hiç shqetësim për plehrat, që përvçse po tmerrojnë turistët rrezikojnë të përhapin epidemi të rëndë.

Plehrat janë një problem i hershëm i plazheve tona, por situata është rënduar këtë vit. Që kur reforma territoriale transferoi komptencat administrative tek bashkitë e mëdha, territoret e plazheve nuk janë më si më parë. Vëmendja e bashkive për plazhet duket se më shumë është zhvendosur për vjeljen e taksave të hapësirës se sa për pastrimin e territoreve. Të paktën në Shëngjin, plehrat kanë zaptuar të gjithë plazhin dhe ujërat e zeza kanë plasur në rrugën kryesore. Situatë e ngjashme është edhe plazhet e tjera masive si Velipojë, Durrës etj., dhe gati njësoj e rëndë edhe në plazhet e tjera.

Bien prenotimet

Cilësia dobët e shërbimeve dhe infrastruktura kaotike kanë ulur prenotimet në hotele këtë vit.

Hotelet raportojnë se zënia e kapaciteteve në korrik ishte më e ulët se vitin e kaluar dhe nisur nga prenotimet, pritshmëritë janë të vakëta edhe për gushtin, por të paktën shpresohet që të kenë punë njësoj me gushtin e 2015-s.

Qendra e Kërkimeve Monitor (QKM) realizoi në data 20-25 korrik një sondazh me një kampion prej 100 hotelesh në qytetet bregdetare në vend, nga Saranda në Velipojë. Përfaqësuesit e hoteleve janë pyetur për zënien e hoteleve në korrik, në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe prenotimet për muajin gusht, si dhe për arsyet e tendencës që ata raportojnë.

Nga sondazhi rezulton se zënia mesatare e hoteleve për muajin korrik ka qenë 55% nga 64% që ishte në korrik të një viti më parë.

Qeveria reagon me vonesë, nxjerr sërish ushtrinë

Qeveria me një vendim të posaçëm i ka akorduar ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, një fond shtesë prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për Komandën Mbështetëse, për mbulimin e shpenzimeve të strukturave të Forcave të Armatosura, të angazhuara për pastrimin e disa akseve rrugore dhe zonave bregdetare për sezonin turistik veror, për vitin 2016, në mbështetje të organeve të pushtetit vendor.

Fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ministria e Mbrojtjes (Komanda Mbështetëse), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe organet e pushtetit vendor, të përcaktojnë akset rrugore dhe zonat bregdetare që do të pastrohen, kohën, mjetet dhe personelin e Forcave të Armatosura që do të angazhohet./Monitor