Transmetuar më 16-08-2016, 11:38

Nga kështjellat e Shqipërisë, ishujt e Kroacisë, fshatrat e vjetër të Bosnjës e deri te manastiret e Rumanisë. Ballkani ka zona me bukuri të rrallë natyrore dhe që nuk përfshihen shpesh në itinerarin e turistëve. Insider ka publikuar një listë me vende të pazakonta turistike që nuk mund të gjenden në harta e që mund të vizitohen nga të gjithë të pasionuarit pas turizmit aktiv.

Shqipëria, kështjella dhe shpella

Nga plazhet e Vlorës në jug të Shqipërisë, turistët mund të udhëtojnë me varkë nga gadishulli i Karaburunit, më i madhi në vend. Shtrihet në pjesën perëndimore të kanalit të Otrantos, aty ku deti Adriatik takohet me detin Jon.

Turistët mund të eksplorojnë gadishullin i cili është i mbushur me gjire natyrore dhe shpella.

Një vizitë në shpellën e piratit Haxhi Aliu, që daton në shekullin e 16-të është një domosdoshmëri, ndërsa gjiri i Gramës ofron plazhe me ujë të kristaltë.

Pak kilometra nga brigjet e qytetit të Himarës, turistët mund të vizitojnë kështjellën e Ali Pashë Tepelenës që gjendet në Porto Palermo. Mendohet se kështjella është ndërtuar në periudhën veneciane, në shekullin e 17-të dhe është përdorur në shekullin e 19-të nga Ali Pashë Tepelena, një pasha shqiptar i periudhës otomane, i cili qeverisi pjesën më të madhe të jugut të Shqipërisë dhe pjesën veriore të Greqisë.

Kështjella është e hapur për turistët dhe nga tarraca e saj mund të shijohet një pamje e mrekullueshme e detit Jon.

Renditja më pas vazhdon me fshatrat e vjetër të Bosnjës, ujërat e Bullgarisë, ishujt e fshehur të Kroacisë, me pasurinë e Kosovës. Ku një nga vendet që rekomandohet më shumë nga Insider është edhe kalaja e Prizrenit, e njohur ndryshe edhe si kalaja e Dushanit. Më pas vazhdohet me liqenin e Ohrit në Maqedoni, me vendet e fshehura të Malit të Zi, me Rumaninë e Serbinë./Monitor