Transmetuar më 05-09-2016, 01:22

Gjermania e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme fushatën kualifikuese të Botërorit Rusi 2018.

Me një Thomas Muller në superformë, kombëtarja e pancerave bëri ligjin në “Ulevaal Stadion” të Oslos duke fituar me rezultatin 3-0 ndaj Norvegjisë vendase. Sulmuesi i Bayernit realizoi një dygolësh në këtë ndeshje ndërkohë që për të kompletuar mbrëmjen e tij magjike Muller mori edhe petkun e njeriut asist, në golin e dytë të realizuar nga Joshua Kimich.

Ishte një Gjermani shumë kërkuese që në fillim ajo që zbriti në fushë ndaj Norvegjisë.

Në të 16-tën Muller zhbllokoi shifrat duke përfituar nga një moment jo i mbrojtjes vendase.

Në fundin e pjesë kishte festë edhe për Joshua Kimmich. Talenti 21-vjecar me një goditje të bukur nga brenda zonës realizoi golin e tij të parë me fanellën e Die Manschaft.

Një gol i gjithi bavarez me Muller-in që pasoi në mënyrë perfekte për Kimmich i cili nuk e fali portierin e përfaqësueses nordike Jarstein.

Për të hipotekuar suksesin e Gjermanisë mendoi sërish Thomas Muller që në minutën e 60-të realizoi sërish pas një topi të marrë nga Khedira për t’i çuar shifrat në 0-3.

Pas këtij suksesi Gjermania u ngjit menjëherë në krye të grupit C kualifikues duke lënë pas Azerbajxhanin por edhe Republikën Çeke dhe Irlandën e Veriut që u ndanë në një barazim 0-0 mes tyre.

TABELAT E PLOTA/ Nis rrugëtimi i kombëtareve drejt botërorit