Transmetuar më 22-09-2016, 20:40

Kibra ndjehet mirë, ajo qeshë, është e gjallë dhe gjithnjë shikon nga nëna Nahide Kurtishova e cila dënesë, ndërsa babai Orhan Kurtishov rrëfen se çfarë ka ndodhur. Ai asnjëherë nuk e kishte paramenduar se vajza e vet tetëvjeçare, e cila lëngon nga një paralizë e pjesshme, do të trajtohet aq me kujdes nga mjekët gjermanë dhe se do të dukej aq mirë, pasi në Maqedoni i kishte munguar trajtimi i nevojshëm mjekësor. Por, babai, nëna, dy djemtë dhe Kibra, të cilët banojnë në Gnarrenburg, do të duhet të kthehen prapë në Maqedoni.

Në fakt, Gjermania ishte një shpresë e vogël: Pasi Nahidja i kishte sjellë në jetë dy djem të shëndoshë, më 21 nëntor kishte lindur Kibra. Për shkak të mungesës së oksigjenit gjatë lindjes, ajo është duke vuajtur nga një paralizë e pjesshme, ka shpjeguar mjeku gjerman Dr. Heinrich Hahn, i cili është udhëheqës i Qendrës social-pediatrike në Rotenburg dhe që përkujdeset për vajzën, që nga ardhja e tyre në Gjermani, në vitin 2013. Sipas Kurtishovit, ndihmës gjinekologu në lindjen e Kibrës, nuk ia kishte dhënë ndihmën e duhur, duke u larguar nga salla e lindjes, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politke, pasi Orhani ka qenë aktivist i LSDM-së, shkruan “Kreiszeitung”.

Madje një mjek e kishte pyetur nëse ai në Europë ka ndonjë farefis për ta adoptuar Kibrën. “Jam i bindur se asnjë prind në botë nuk do të donte ta japë aq lehtë fëmijën e vet”, – pohon Orhan më tej.

Ai ka informuar se në Maqedoni nuk ka trajtim të mjaftueshëm mjekësor që do të përkujdesej për Kibrën. “Kibra nuk mund të trajtohet atje”, – konfirmon edhe Christina Rotondo-Renken, një mike e familjes.

I vetmi spital i cili do të mund të përkujdesej për raste të tilla, gjendet 150 kilometra larg familjes në vendlindje. “Po qe se mund të quhet spital. Është një katastrofë e vërtetë“, shpjegon më tej Orhani.

Më në fund, familja nga Maqedonia kishte vendosur të vijë në Gjermani në vitin 2013, pasi babai kishte qëndruar edhe më parë në Ostëestfalen nga 1986 deri 1993, duke përfunduar shkollimin përfundimtar dhe fletë rrjedhshëm gjuhën gjermane. Pasi kishte qenë i mitur, me familjen e vet ai kthehet në Maqedoni. “Atje mbisundon një lloj diktature”, – pohon më tej Orhani. Si anëtar i social-demokratëve në Maqedoni, me siguri se do të përndiqet.

Por, sëmundja e Kibrës nuk është ndonjë arsye për autoritetet gjermane. Në muajin maj Orhani kishte dashur ta vazhdojë lejeqëndrimin që i ishte refuzuar nga autoritetet përkatëse të migrimit.

Për momentin, Orhani është duke luftuar me të gjitha mjetet për ta vazhduar qëndrimin e tij në Gjermani, por gjasat për një gjë të tillë janë të vogla.