Transmetuar më 01-01-2017, 15:31
Publicitet

Përfaqësuesi i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova në një intervistë për agjencinë e lajmeve IBNA thotë se kriza politike e shkaktuar nga mungesa konsensusit politik mban të paralizuar qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës për dy vite me radhë. Megjithatë ai beson se, partia të cilës i takon ai, nuk e ka humbur primatin para qytetarëve të vendit dhe se në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm do të dalë fituese në shumë komuna. Rugova thotë se, Gjykata Speciale është një obligim para bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa kërkon që dialogu me Serbinë të ndryshoj në formë dhe në përmbajtje. Ai gjithashtu flet edhe për proceset eurointegruese, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe impaktin e administratës amerikane të drejtuar nga presidenti i ri, Donald Trump në Kosovës dhe rajon.

Intervistoi: Muamer Mellova 

IBNA: Cilat ishin zhvillimet kryesore brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës si forcë qeverisëse, gjatë vitit që po e lëmë pas?

LDK-ja pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 udhëheq me qeverinë e vendit, vite këto që u përshkruan me tensione të mëdha politike dhe institucionale. Kuvendi i Kosovës për më tepër se një vit nuk mundi ta ushtrojë funksionin e tij për shkak të pengesave të ndryshme nga partitë opozitare. Megjithatë ka progres në shumë fusha dhe besoj se konsensusi politik do të arrihet për të gjitha çështjet e kontestuara deri tani.

IBNA: Vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet lokale, ndoshta edhe ato parlamentare. Çfarë thonë anketat e brendshme dhe ato të shoqërisë civile për LDK?

LDK është parti e madhe, me përvojë edhe politike-organizative, por edhe institucionale. Ne udhëheqim te 9 bashki dhe zgjedhjet e ardhshme po punojmë që t’i rikthejmë edhe Prishtinën e Prizrenin, dhe të tjera bashki. Edhe nëse do mbahen zgjedhje të tjera, ne jemi këtu dhe besoj se LDK-ja do dalë me ofertë të qartë programore për qeverisjen e vendit.

Ka pasur sondazhe të shumë organizatave dhe institucioneve që merren me matjen e opinionit. Në disa prej tyre LDK-ja nuk ka dalë siç duam ne dhe elektorati ynë. Ka disa faktorë për këtë. Së pari ka një pjesë të madhe të medieve në Kosovë që janë hapur kundër LDK. Por edhe koalicioni me PDK-në na ka dëmtuar, qoftë në teren, tek elektorati militant, por edhe në opinion. Por besoj se LDK-ja do të jetë në gjendje t’i evitojë mangësitë, do të unifikohet, mobilizohet dhe do të dalë fituese e zgjedhjeve të cilitdo nivel qofshin ato. Sondazhi më i mirë është puna dhe përkushtimi për shtet ligjor dhe mirëqenie ekonomiko-sociale. Punën e secilit subjekt politik do ta vlerësojë qytetari te kutitë e votimit.

IBNA: Kosova ka disa sfida të rëndësishme: Së shpejti do të përballet me Gjykatën Speciale, përballet me rrezikun e ndarjes së veriut të Kosovës, deficitin e lartë tregtar, izolimin dhe probleme tjera në arsim e shëndetësi. Cilët janë planet apo programi i LDK-së për zgjidhjen e këtyre çështjeve?

Kosova si shtet i ri ka dhe do ketë shumë sfida para vetes. Trendet e zhvillimeve politike të kohëve të fundit kërkojnë vigjilencë, gjakftohtësi, konsensus të gjerë politik dhe vendime racionale. Nuk i kemi përmbushur disa obligime ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Tani, jemi të obliguar që t’i përmbushim këto obligime të cilave si shtet dhe si popull nuk duhet t’i frikësohemi. Procesi i dialogut me Serbinë gjithashtu ka qenë, është dhe do të jetë sfidë politike, institucionale por edhe kombëtare. Është momenti i fundit që shteti i Kosovës ta bëjë të qartë edhe Serbisë, por edhe miqve ndërkombëtarë se ne jemi shtet dhe se është hera e fundit ku tolerohet shkelja e vijës së kuqe si rasti i murit tek ura në Mitrovicë. Ne mendojmë se korniza dialoguese duhet të ndryshojë edhe në formë, por edhe në përmbajtje. Kemi edhe probleme të shumta në sektorin e zhvillimit ekonomik, sistemi i drejtësisë po ashtu është jokredibël dhe i politizuar. Sektori i arsimit dhe shëndetësisë gjithashtu lënë shumë për të dëshiruar. Edhe procesi i liberalizimit të vizave po ashtu nuk dihet kur do të ndodhë, ka paqartësi dhe kushte sensitive për vendin tonë. Për të gjitha këto sfida që përballemi prej vitesh, LDK ka bërë hapa të rëndësishëm qoftë institucionalë qoftë politikë, por është e vështirë që të realizosh agjendën politike dhe programin qeverisës kur je në koalicion me subjektin që ka dalë i pari me vota dhe që e konsideron LDK-në rivalin kryesor politik. Fatkeqësisht mentaliteti provincial dhe mungesa e vetëdijes institucionale por edhe inati ballkanik ka penguar në masë të dukshme realizimin e platformës qeverisëse të LDK-së.

IBNA: Cila është zgjidhja e LDK-së për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, proces që po pengon liberalizimin e vizave?

Një gjë duhet ta qartësojmë, procesi i shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi ka filluar vite më parë, para se LDK të hynte në këtë qeveri. Ky proces është udhëhequr dhe menaxhuar nga një komision të cilin e kishte emëruar ish kryeministri Hashim Thaçi, tani president i vendit. E njëjta situatë është edhe me asociacionin e komunave serbe (AKS). Në LDK ka pasur debat për këto çështje edhe në struktura dhe anëtarësi. Edhe në grupin parlamentar dhe forume të tjera, ka divergjenca mendimesh sa i takon demarkacionit dhe  AKS. Por ka lojëra dhe standarde të dyfishta edhe nga PDK-ja e cila e solli procesin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi deri në këtë pikë. Këto janë çështje të ndjeshme me karakter nacional, jo të partive politike dhe mentalitetit provincial, këtu ka edhe gjeo-politikë por edhe gjeo-strategji, është mjaft i përfshirë dhe faktori ndërkombëtar sidomos pas ngjarjeve të kohëve të fundit në rajon dhe më gjerë. Megjithatë, jam shumë optimist se edhe si më parë në situata jo të lehta për vendin, LDK do të ofrojë si përherë, ide dhe zgjidhje racionale, gjithëpërfshirëse dhe në interes të vendit tonë. Edhe raportet e mira fqinjësore me Malin e Zi do të ruhen, por edhe liberalizimi i vizave do të ndodhë në muajt në vijim. Sepse integrimi euro-atlantik nuk njeh forma të tjera komunikimi dhe bashkëpunimi.

IBNA: Të mbetemi në aspektin gjeopolitik, cili do të jetë ndikimi i administratës së presidentit amerikan Doland Trump në Kosovë dhe rajon?

LDK njihet si partia e parë politike shqiptare që ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me qeverinë dhe popullin mik amerikan. Miqësia e përhershme me SHBA-të është postulat politik i LDK-së. Si LDK dhe si Kosovë, gjithmonë kemi pasur raporte të mira dhe miqësore bashkëpunimi me të gjitha administratat e presidentëve të SHBA-ve sidomos këto 27 vitet e fundit. Presidenti Trump u zgjodh me votën e lirë dhe vullnetin e qytetarëve amerikanë. Edhe LDK-ja sikurse republikanët në SHBA jemi të djathtë, ndaj pres ndikime pozitive dhe hapa konkretë të administratës së Presidentit Trump në rajon dhe në Kosovë. Besoj se situata aktuale politike dhe zhvillimet e fundit në vendet e Ballkanit Përëndimor do të kenë vëmendjen e shtuar të Presidentit Trump dhe administratës së tij.

IBNA: Kur do të jetë Kosova një vend i zhvilluar ekonomikisht, një vend i intergruar në strukturat euroantlantike?

Kosova i ka të gjitha parakushtet për të qenë një shtet normal, me një ekonomi të qëndrueshme që i siguron mirëqenie qytetarëve të saj. Kjo do të arrihet kur sistemi i drejtësisë vepron pa padronë, kur korrupsioni dhe krimi i organizuar të çrrënjosen plotësisht, kur transparenca dhe konkurrenca e lirë mbrohen nga institucione kredibile dhe të pavarura, kur oligarkët dhe monopolistët e të gjitha fushave që e kanë kapur çdo segment vital të shtetit do të kthehen në qytetarë të barabartë të vendit, kur një pjesë e këtyre oligarkëve do të përballet me drejtësinë, kur klasa politike do të vetëdijësohet dhe do mendojë për shtetin dhe jo për pushtetin. Të gjitha këto do të hapin rrugën edhe për investimet e huaja direkte dhe të emigrantëve tanë, do të rrisë vetëdijen dhe besimin qytetar e po ashtu edhe besimin te partnerët ndërkombëtarë. Rrugë tjetër nuk ka! 

Loading...