Transmetuar më 02-01-2017, 15:42

Ajo ka lindur në vitin 1896 por qëndron ende e fortë dhe mban mend shumë mirë gjithçka nga jeta e saj, sidomos martesën me bashkëshortin e ndjerë.

Abidè Dushi është 121 vjeçe dhe ka lindur në fshatin Lum të Madh të Vushtrrisë në shekullin e nëntëmbëdhjetë duke jetuar kështu mes tre shekujsh.

E kujton mirë Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

“Kom lind në fshatin Lum i Madh. Kur i kom pas 18 vjet jom martu në fshatin Hade. Kom qenë e lumtun me plakun tem. Ai ka punu në minierë, s’kena pas qaq kushte të mira për me jetu, po mirë u kanë”, rrëfen 121 vjeçarja Abide Dushi.

Sekreti i jetëgjatësisë së saj thotë se është qumështi i deleve.

“Kam pasur dele gjithmonë. Tamlin e tyre hala e pi. Nuk pi kafe, e as nuk ha ushqim të yndyrshëm”, thotë ajo.

Abideja ka filluar të ketë probleme me frymëmarrjen, por jo me kujtesën.

Jeta e saj ka qenë e dhimbshme pasi të gjithë fëmijët i kanë vdekur nga shkaqe të ndyshme, shkruan Express. Tani Abideja jeton me të afërm të saj në Shkup. Ajo Kosovën e viziton herë pas here.

Në gjithë territorin e Kosovës llogariten të jenë mbi 70 persona të cilët kanë kaluar moshën mbi 100-vjeçare, ku 52 prej tyre i takojnë gjinisë femërore. 

Listës me personat më të moshuar i prijnë Prizreni, Kaçaniku, Deçani, Peja dhe Vushtrria.