Transmetuar më 11-01-2017, 12:41

Forumet rinore të partive kryesore në vend janë bërë bashkë dhe kanë protestuar përpara ambasadës frenceze në Tiranë, për lirimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në protestën para ambasadës franceze kanë marrë pjesë të rinj nga FRESSH, FRPD dhe LRI.

Kujtojmë se Haradinaj u arrestua disa ditë më parë në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, me pretendimin për krime lufte.

Një ditë më parë, Ministria serbe e Drejtësisë ka dërguar kërkesën zyrtare për ekstradimin e Ramush Haradinajt, duke përfshirë edhe dokumentacionin në gjuhën franceze, në bazë të cilit sistemi francez i drejtësisë do të vendosë nëse janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.