Transmetuar më 12-01-2017, 07:35

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur nga Kosova, Ramiz Kelmendi. Mësohet se ai ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës në moshën 86- vjeçare.

Vdekja e tij u konfirmua nga nipi Adriatik Kelmendi, i cili shkroi në profilin e tij në Facebook, “Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftoj se sonte u nda nga jeta axha im, që e kisha shumë më shumë se axhë, Ramiz Kelmendi, në moshën 86-vjeçare”.

Ramiz Kelmendi, përveç si shkrimtar, njihej edhe si publicist e gazetar.

Ai ka shkruar disa romane, tekste shkollore, drama, e fejtone.

Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Shtatë persona ndjekin autorin”, “Vija e vrragë” dhe “Abrakadabra".

Kush ishte Ramiz Kelmendi

Ramiz Jakup Kelmendi u lind më 20 dhjetor 1930 në Pejë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 propagonin idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe krejt grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por me qenë se ishte i mitur (16-vjeç), bën vetëm 30 ditë burg dhe lirohet.

Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej vetëm në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht.

Kur e përfundon, pranohet gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”.

Më 1950 regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet në fillim ia financon i ati i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime. Diplomohet në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”.

Me të mbaruar të studimeve rikthehet në gazetën “Rilindja”, që tashmë ishte bërë e përditshme, ku për 12 vjet rresht punon redaktor, reporter i lirë dhe kolumnist, kolumnet e të cilit ishin nga më të lexuarat e kësaj gazete.

Në vitin 1967 emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”.

Për katër vjet me radhë ishte Drejtor i Teatrit Popullor Krahinor.

Në vitin 1969 zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte lëndën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”.

Në vitin 1975 magjistron me temën “Humori dhe satira në letërsinë shqipe”.

Ramiz Kelmendi botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mijëra shkrime publicistike të natyrave të ndryshme.

Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis, etj.

Ishte njëri nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë. Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu, Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hynë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit, për të kërkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’ju bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës.

Ramiz Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët dhe nënshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve.

Edhe kur doli në pension Kelmendi nuk u ndal. Më 1996, Ramiz Kelmendi fitoi një ide të padëgjuar dhe të re në krejt hapësirat shqiptare që po dilnin nga komunizmi: idenë per hapjen e një institucioni privat arsimor. Kelmendi vendosë të hapë fakultetin e parë privat të Gazetarisë në krejt hapësirat shqiptare, “Faik Konica”, që ka funksionuar deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar.

Ramiz Kelmendi vdiq si njëri nga emrat më të shquar të krejt një brezi intelektualësh, të kulturuar në ish-Jugosllavi, që mbrojtën identitetin shqiptar dhe ndryshuan imazhin dhe perceptimin për shqiptarët në sytë e kombeve dhe kulturave që formonin Federatën Jugosllave.