Transmetuar më 14-01-2017, 02:20

Ministrja Edita Tahiri sot kërkoi nga BE-ja që të ndalë trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës, të cilin Serbia e ka paralajmëruar për nesër (e shtunë), si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë. 

Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve.

“Paralajmërimi i bërë për të lançuar linjën e re ilegale Beograd – Mitrovicë që nga dita e nesërme, është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën”, – ka theksuar ministrja Tahiri.

“Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe faktori ndërkombëtar duhet ta ndal Serbinë”, – shtoi ajo.

“Serbia ka agjenda të rrezikshme, që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, edhe Kosovën edhe partnerët ndërkombëtar. Tashmë ky është një provokim i hapur kundër Kosovës, që tregon se Serbia ka dalur hapur me politika agresive që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë nacionale të saj”, – deklaroi ministrja Tahiri.

Treni është planifikuar të qarkullojë në linjën Beograd-Mlladenovac-Lapovo-Kragujevc-Kralevë-Rashkë-Mitrovicë.

Serbia është kujdesur që ky tren të përmbajë provokime të rënda për shtetin e Kosovës, duke e mbytur me motive kulturore dhe fetare të Serbisë dhe Kosovës.

Në tren sikundër shihni galerinë e fotove, po ashtu janë vendosur edhe mbishkrime provokuese si “Kosova është Serbi” në disa gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe, kineze…