Transmetuar më 31-01-2017, 10:28

Organizata botërore Freedom House ka publikuar raportin lidhur me shkallën e lirive demokratike në botë.

Në gjetjet e raportit të publikuar ditën e sotme, e martë, Shqipëria dhe Kosova renditen në mesin e vendeve pjesërisht të lira, ndërsa nënvizohet se në 11 vitet e fundit liria ka shënuar rënie në nivel botëror.

Në raport përfshihen 195 vende, ku për 87 prej tyre thuhet se janë të lira, 59 janë pjesërisht të lira, ndërsa 49 vende vlerësohen si jo të lira.

Në raportin me titull “Liria në botë 2017”, për të drejtat politike dhe liritë civile, konstatohet se për të 11 vit me radhë shënohet rënie në lirinë globale.

“Këtë vit jemi veçanërisht të shqetësuar, pasi duket sikur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jenë më tepër të shqetësuara për çështjet e brendshme sesa të shërbejnë si shembull për vendet e tjera ose për t’i ndihmuar demokracitë e tyre. Pra, është shqetësim veçanërisht për ato vende, që janë në krahun lindor të Rusisë dhe, po ashtu, në Ballkan, ku ne mund të fillojmë të shohim më tepër lëvizje të kundërta”, tha zëdhënësja e Freedom House, Sarah Repucci./a.y/noa.al