Transmetuar më 02-03-2017, 17:05

“Gjatë takimit tonë me Mogerinin, qëndrimi ynë ishte se veprimi skandaloz i Ivanovit vetëm se i vërtetoi tezat politike të Partisë Demokratike Shqiptare, platformës dhe programit të kësaj partie”, kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi pas takimit me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, njofton Portalb.mk.

Thaçi vendimin e presidentit Ivanov, për të mos ia dhënë mandatin shumicës parlamentare, e cilësoi si skandaloz.

“Ai mirë bëri pasi neve shqiptarëve na rikujtoi se ne duhet të kërkojmë ndryshimin e rendit kushtetues, sigurisht për ata që kanë qenë skeptik se kështu nuk mund të vazhdohet. Patjetër që shqiptarët duhet të arrijnë që të krijojnë mekanizmin e vendimmarrjes që ta kenë të barabartë me maqedonasit”, tha Thaçi.

Më tej ai shtoi se është i shqetësuar se “ky konflikt politik mund të rrëshqasë në një konflikt etnik, prandaj ju bëri apel shqiptarëve që mos bien pre e këtyre provokimeve pasi nuk shkon në dobi të shqiptarëve”.

Në lidhje me Platformën Shqiptarë Thaçi tha se, po bëhet lojë politike dhe se edhe ata që kërkojnë të drejta për shqiptarët nuk kërkojnë sa duhet, por edhe ata që japin të drejta, nuk japin sa duhet./b.l/noa.al/