Transmetuar më 21-03-2017, 10:42

Sërish ulje të çmimit të karburanteve nga mesnata e kaluar në fqinjin tonë Maqedoninë. Sipas Alsat-M, benzina dhe nafta kanë një ulje për 2 denarë për litër.

Kështu vendosi dje Komisioni Rregullator i Energjetikës. EUROSUPER BS-95 do të shitet për 65 denarë dhe EUROSUPER-BS 98 për 67 denarë (afërsisht 1.1 euro). Nafta do të kushtojë 52 denarë (afërsisht 85 cent). Po kështu lirohet edhe çmimi i mazutit.

Çmimet e reja vijnë si rezultat i uljes së çmimeve të karburanteve në tregjet botërore në dy javët e fundit. Ndërkohë që Shqipërisë renditet si një ndër vendet me çmime më të larta të karburantit në Europë, por pavarësisht kësaj nuk ka asnjë ulje të çmimit edhe kur çmimi i karburanteve bie në botë.

Sipas të dhënave nga Global Price Petrol, Shqipëria vijonte të renditej e 14-a më e shtrenjtë në botë. Në Europë më të shtrenjtë se ne janë Holanda, Danimarka, Italia, Malta, Islanda, Monako, Suedia, Zvicra, Anglia, Norvegjia, shtete këto që kanë një nivel standardi jetese shumë më të lartë sesa tonin.

Nafta në Shqipëri  është 70% më e shtrenjtë se në Maqedoni. Aktualisht çmimi i naftës në Shqipëri është mbi 170 lekë litri./b.l/noa.al/