Transmetuar më 21-04-2017, 22:28

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, lidhur me bashkimin kombëtar në rast se venitet procesi europian.

Sipas Moskës nën maskën e bisedimeve hipokrite për nevojën për të stabilizuar rajonin nën ombrellën e NATO-s, themelet e stabilitetit po tronditen dhe rritet në mënyrë dramatike mundësia për një konflikt mes shteteve.

“Me shqetësim të madh kemi dëgjuar një seri deklaratash të politikanëve të ndryshëm shqiptarë, në lidhje me rishikimin e kufijve të Ballkanit. Ne vërejmë se, me pretekstin e akuzave të ngritura ndaj Rusisë, në lidhje me tentativën për të destabilizuar Europën Juglindore, do të zbatohet projekti i "Shqipërisë së Madhe", me mbështetjen e Shqipërisë, për ti dhënë Tiranës të drejtën për të mbrojtur interesat e shqiptarëve jashtë vendit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

“Pas këtij diskursi hipokrit për stabilizimin e rajonit nën ‘ombrellën’ e NATO-s verifikohet një ngadalësim i stabilitetit, ridizenjohen kufijtë e Ballkanit, rritet në mënyrë dramatike shkalla e konfliktit të mundshëm.

Pikërisht në këtë këndvështrim do të merren parasysh deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ‘presidentit’ të Kosovës së vetëshpallur e pavarur, Thaçi, me vullnetin për të bashkuar në një shtet të vetëm Shqipërinë e Madhe”, vijon deklarata.

Kjo deklaratë tregon se MPJ ruse bie me vlerësimet e kryeministrit serb, Presidentit të zgjedhur Aleksandër Vuçiç dhe ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, të cilët me vendosshmëri dënuan retorikën e politikanëve shqiptarë dhe kërkuan një përgjigje adekuate nga Brukseli për atë që po ndodh aktualisht. /b.l/noa.al/