Transmetuar më 23-04-2017, 10:57

Kryeministri Edi Rama i dorëzoi mitropolitit të Gjirokastrës, lejen e legalizimit kishës më të re në Gjirokastër, e cila u hapi dyert vetëm një javë më parë, të dielën e Pashkëve.

Gjatë dorëzimit të dokumentit të legalizimit të kishës paraditen e sotme, së bashku me shkollën pranë saj, Kryeministri Rama nënvizoi se ka nisur një proces tërësor i legalizimit të pasurive të komuniteteve fetare.

“Më vjen shumë mirë të kujtoj se kemi bërë të mundur ndërtimin e kësaj kishe. Po ashtu më vjen shumë mirë të nënvizoj që kemi ndërmarrë një proces tërësor të legalizimit të pasurive të komuniteteve fetare, ku me shumë kënaqësi po i dorëzoj përfaqësuesit të Zotit këtu, në këtë kishë, këto dokumente”, tha Rama.

Janë 1028 objekte kulti prej vitesh në pritje të legalizimit, një proces që, ashtu si edhe për shtëpitë, është përshpejtuar në këto dy vite.

Më herët gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Edi Rama vizitoi xhaminë në Bicaj të Kukësit, ku i dorëzoi myftiut të Kukësit certifikatën e legalizimit të kësaj xhamie dhe katër xhamive të tjera të zonës.

Kryeministri nënvizoi se kjo është një problematikë e trashëguar dhe së cilës po i jepet zgjidhje, duke i kthyer në prona të ligjshme të komuniteteve fetare.

“Ndër të tjera trashëguam edhe kisha e xhami që janë ndërtuar, ose që janë rindërtuar mbasi janë prishur e janë të palegalizuara, pra nuk janë prona të komuniteteve fetare, kështu që tani t’i pronësojmë komunitetet fetare. Kemi edhe një masë tjetër që do marrim që për kishat e xhamitë energjia do paguhet si për familjarët, sepse deri më sot nuk ka qenë e njëjta tarifë, kështu që do t’i ulim dhe shpenzimet. Deri tani janë bërë 400 kisha, xhami e teqe që janë legalizuar. Kemi akoma shumë për të bërë. Saktësisht janë 1028,”  u shpreh Kryeministri.

Rama u dorëzoi edhe certifikatat e legalizimit të xhamisë së Kolshit, xhamisë të Mamzit, xhamisë së Bardhocit dhe xhamisë së Mustafait.