Transmetuar më 26-04-2017, 18:09

Në konferencën e organizuar me rastin e ditës botërore të pronësisë intelektuale, dy ministret, ajo e ekonomisë Milva Ekonomi dhe e Kulturës, Mirela Kumbaro, morën kritika të forta nga një prej kompozitorëve më të mëdhenj të Shqipërisë.

Aleksandër Lalo nuk kurseu akuzat ndaj zyrtareve të shtetit kur tha se, konferenca të tilla janë shpenzime të çuara dëm, ndërsa kërkoi shpjegime se çfarë është bërë në këtë ruajtjen e pronësisë intelektuale.

“Kjo na intereson, nuk na interesojnë imazhe. Ne flasim në të shkuarën, krahasimet i bëjmë gjithmonë, fusim dhe pak politikë brenda. Nuk na duhet e shkuara se çfarë është bërë, na duhet se çfarë bëhet sot. Kaq ishte fjalimi i im, se do të shkoj të bëj drekën”, tha kompozitori.

Edhe pse ministrja Kumbaro u përpoq t’i përgjigjej shqetësimit të tij, Lalo doli nga salla i revoltuar duke thënë:

“Nuk e dua përgjigjen, jepua këtyre, unë nuk fola për vete”.

Duke ju përgjigur Lalos, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se ligji është plotësuar me ndryshimet vetëm pak ditë më parë. /k.k/noa.al/