Transmetuar më 11-05-2017, 14:57

Qytetarët e Kosovës do i’u drejtohen kutive të votimit më 11 qershor, për të zgjedhur shumicën e re qeverisëse.

Presidenti Hashim Tahçi pak pas mesditës së sotme ka dekretuar datën e zgjedhjeve të parakohshme, të dielën e 11 qershorit.

Ky vendim i Presidentit të Kosovës vjen pas një takimi konsultues që pati paraditen e sotme me përfaqësuesit e partive politike, ku pjesa më e madhe dhanë dakordësinë për këtë datë. Varianti tjetër ishte 18 qershori.  

Në këtë takim, Presidenti ka theksuar se sipas ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të jetë ditë e diel, dhe jo më herët se 30 ditë nga shpërndarja dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.

“Në përcaktimin e datës së zgjedhjeve duhet të marrim parasysh të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shprehur i gatshëm të organizojë zgjedhjet dhe të sigurojë mbarëvajtjen e tyre”, deklaroi Thaçi.

Parlamenti i Kosovës rrëzoi ditën e djeshme qeverinë e Isa Mustafës. Me 78 vota pro dhe 34 kundër mocionit, deputetët bënë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. /a.y/noa.al

Thaçi firmos dekretin, shpërndahet Parlamenti i Kosovës për zgjedhjet e parakohshme

Rrëzohet qeveria e Isa Mustafës, Kosova në zgjedhje të parakohshme