Transmetuar më 11-05-2017, 15:37

Drejtori Ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë i cili mori detyrën më 5 shkurt 2015, rezulton me një pasuri të konsiderueshme në prona dhe të holla, të vëna kryesisht para se të merrte postin aktual.

Nga Spending Data Albania janë përditësuar të dhëna të vetëdeklarimit të pasurisë për disa funksionarë të rëndësishëm publikë për vitin 2016 dhe më poshtë gjenden të detajuara, deklarime e Sejkos. 

Gent Sejko dhe bashkëshortja e tij rezultojnë me disa apartamente në Tiranë dhe Durrës, si, një shtëpi 104 m2 në Tiranë, një e dytë 65 m2 në Tiranë dhe një e tretë 70.2 m2 po në Tiranë.

Po ashtu ai ka një shtëpi 136.86 m2 në Durrës, blerë më 28.08.2013 për 103 000 euro, pjesë e regjimit martesor.

Sejko rezulton edhe pronar i truallit me sipërfaqe 238.7 m2 në Durrës, mbi të cilën është ndërtuar apartamenti bregdetar.

E shoqja figuron bashkëpronare me 25% e një apartament banimi 69 m2, përfituar me blerje më 16.12.1996, 1 700 000 lekë. E shoqja Lutfije Sejko rezulton edhe bashkëpronare me 25% e një trualli me sip. 4 420 m2 në Sarandë, trashëguar nga familja e babait.

Sejko ka sasi të konsiderueshme parash në banka. Kështu 260 mijë euro i ka në njërën bankë dhe 75 mijë dollarë te një e dytë. Po ashtu ka 38 mijë euro në një tjetër bankë si dhe 145 438 lekë.

Çifti ka marrë dhe kredi, njëra 80 mijë euro me afat shlyerje 15 vjet, interes 5.6% dhe këst mujor 341 euro. Si dhe një e dytë marrë më 17.09.2008 me principal 52 000 euro, afat shlyerje 18 vjet, interes 2.06% dhe këst mujor 280 euro.

E shoqja e Sejkos ka dy llogari të tjera bankare me 3168 euro si dhe një veturë Renault Clio, blerë në vitin 2005, 4 000 euro.

Gjatë vitit 2016, Gent Sejko, fitoi nga paga si Guvernator i BSH, 5 487 032 lekë. Ai mori edhe afro 8 mijë euro dieta për udhëtime e qëndrime jashtë vendit nga Banka e Shqipërisë dhe 1 000 dollarë nga dieta nga misioni në FMN.

Sakaq, Sejko fitoi edhe 2 482 881 lekë nga honorare si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.

Sejko ka fituar edhe nga kamatat. Ai mori më 2016 të ardhura interesa nga depozitë bankare dyemërore (Gent dhe Lutfije Sejko), 2 811 euro si dhe 1022 dollarë nga një depozitë e dytë.

Gruaja e Sejkos fitoi më 2016 nga paga dhe shpërblime pranë Tirana Bank, 4 105 405 lekë.

Ndërkohë çifti shtoi vitin e kaluar edhe 55 052 dollarë në llogaritë e tyre bankare, si dhe 15 565 euro e 480 983 lekë.

Ndërsa iu pakësua me 39 395 dollarë një tjetër llogari bankare, e kaluar tek depozita dyemërore në USD.

Gjatë vitit që u mbyll, Sejko bleu edhe një apartament 209 m2 në Tiranë, për të cilin është paguar kësti i parë prej 87 780 euro përmes kredisë së marrë dhe janë ende pa paguar 204 820 euro, pjesë e regjimit martesor.

Po ashtu Sejko shleu tërësisht një kredi banke me vlerën 80 000 euro me afat 15 vjeçar e filluar në datën 21.09.2007 me interes 5.6% me këst mujor 341 euro për të cilën në vitin 2016 është shlyer e gjithë pjesa e mbetur prej 21 253,46 euro ku 20 097, 95 euro është principali i shlyer dhe 976,25 euro është interesi.

Ndërkohë Sejko ka marrë edhe një kredi nga Banka e Shqipërisë për blerje apartamenti me shumë 11 400 000 lekë e afat 30 vjeçar e disbursuar në datën 20.07. 2016 dhe me datë për fillim pagese më 20.08.2018, ku interesat në 30 vjet janë 818 985 lekë. /noa.al/