Transmetuar më 13-05-2017, 21:26

Pasi është publikuar historia rrënqethëse për Fetahun dhe familjen e tij të varfër, në RTV 21, ndihmat kanë nisur të vijnë nga të gjitha anët.

Fetahu nuk ka mundur dot t’i mbaj sërish lotët por këtë herë kanë qenë gëzimi.

Ai tani sadopak do të ndihet i barabartë me shokët e tij.

“Sot ndihem më mirë, më mirë se më para kur isha i mërzitur. Faleminderit shumë ata që na kanë ndimuar, zoti u dhashtë krejtve që m’ kanë ndihmu. Tash do rri me shokët. Është më mirë të kesh shokë”, është shprehur Fetahu i vogël.

Mamaja e tij Sheherzade Muharemi, ka pasur fluks telefonatash nga njerëz bamirës që e telefonojnë për ta ndihmuar.

“Jemi shumë të kënaqur, zoti I shpërbleftë të gjithë ata donator që na kanë ndihmuar. Që prej na incizoi TV21, pa ndalur na kanë sjellë ndihma, edhe të holla na kanë sjellë. Tani për ngrënie dhe pirje kemi falëmderit Zotit. Të holla kemi mbledhur, kemi nevojë të mbledhim edhe pak për  ta marrë një banesë të vogël. Nëse mblidhen para më tepër, ato do ti lëmë në bankë që djali t’i ketë për tu shkolluar sikur të gjithë të tjerët. I falënderoj të gjithë njerëzit që na kanë ndihmuar.  Edhe juve si TV21 ju falënderoj që na keni xhiruar. S’kishim as për të ngrënë as për të pirë, asgjë. Sot shyqyr donatorët na mbushën shtëpinë, në krah tuajin  tani kemi për të ngrënë”, u shpreh Sheherzade Muharemi.

Kjo familje do të ketë edhe një banesë, ndërsa në ndihmë për ta blerë atë ka ardhur shoqata “Jetimët e Ballkanit”. 

Fetahu rrëfeu një ditë më parë në lotë se kishte qendruar 24 orë pa ngrënë ushqim.