Transmetuar më 11-06-2017, 19:58

Menjëhëherë pas publikimit të Exit Poll-it për zgjedhjet në Kosovë, ish-Kryeministri Isa Mustafa hodhi poshtë rezultatin, duke thënë se forca politike që ai drejton është fituese. Mustafa tha se sondazhi ka për qëllim që të dëmtojë procesin, teksa shprehu gatishmërinë për të pritur deri në fund numërimin e çdo vote.

Ai kërkoi nga vëzhguesit që të mos dekurajohen nga rezultati i Exit Poll-it.

“Ne konsiderojmë se është sondazh i porositur dhe ka qëllime të caktuar që ta prejudikojë rezultatin, para se t’u komunikohet qytetarëve rezultati i vërtetë. LDK dhe partnerët u bëjnë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të numërojnë çdo votë, sepse aty është vullneti i qytetarëve”, tha Mustafa.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një deklaratë për mediat tha se fotrja e partisë së tij është edhe më e thellë sesa rezultati i Exit Polli-t.

“Fitorja është bindëse dhe më bindëse se sa thotë Exit Poll-i. Me këtë vendim, sovrani na obligon ta formojmë qeverinë në kohën e duhur. Urime zgjedhjet Kosovë, urime të gjithëve”, tha kandidati për Kryeministër.

Ndërkohë, më herët, fill pas përfundimit të procesit të votimit në Kosovë, dolën rezultatet e Exit Polli-t, në bazë të të cilave koalicioni PDK-AAK-Nisma ka arritur të grumbullojë rreth 40 për qind të votave, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 30 për qind dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa, me afro 27 për qind. /k.k/noa.al/