Transmetuar më 13-06-2017, 08:21

Një ditë pasi qytetarët e Kosovës folën dhe disa orë nga certifikimi i rezultatit, që e pa koalicionin e “krahut të luftës” që të dilte fitues, por me gjasa pa numrat për të formuar i vetëm qeverinë e re, Ramush Haradinaj foli mbrëmjen e së hënës në Top Story.

Kandidati për Kryeministër në koalicionin mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës tha se rezultati i këtyre zgjedhjeve prodhoi një situatë të re politike në Kosovë, megjithëse shprehu bindjen se ai do të jetë në gjendje që të krijojë qeverinë e re me mbështetjen e forcave të tjera politike shqiptare.

“Unë po punoj për të formuar qeverinë. Qeveria “Haradinaj” do të ketë përkrahjen edhe të deputetëve të tjerë shqiptarë. Koalicioni me parti të tjerë është i mundur. Nuk kemi bërë ende konsulta, por është i mundur”, deklaroi ai.

Sipas Haradinajt, qytetarët janë të pakënaqur nga mënyra sesi janë qeverisur deri më tani dhe këtë e tregoi edhe vota e së dielës, ku partia që drejtoi qeverinë paraardhëse u ndëshkua më ashpër.

“Është krejtësisht rrethanë e re politike në vend, edhe vetë grupimet janë risi, pra edhe koalicioni ynë ishte një risi dhe kështu skena politike ka pësuar ndryshim të madh. Kemi fituar zgjedhjet, jemi rreth 10% përpara nga vendi i dytë, por Vetëvendosje ka një rritje, por ama ka një rënie të LDK-së. Ky është realiteti”, thotë ai.

Haradinaj shton se në rang vendi, koalicioni i tyre ka pësuar rritje. Ai tha se koalicioni është solid, ndërsa vetë synon që t’i japë Kosovës një qeverisje që e quajti “të veprimeve”.