Transmetuar më 13-06-2017, 17:00

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti u ka bërë thirrje sot partive të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe deputetëve të koalicionit PDK-AAK-Nisma për themelimin e qeverisë së re.

Ai ka deklaruar se nuk mund ta lejojnë krijimin e një tjetër qeverie nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, ndaj janë duke punuar intensivisht që pas dështimit të krijimit të qeverisë nga koalicioni PAN, ata ta bëjnë këtë gjë, njofton Klan Kosova.

“Nuk mund të kemi pushtet të ri me eksponentë të vjetër. Parandalimi i një qeverie me njerëz të regjimit të vjetër i hap rrugën krijimit të një qeverie të re, ku VV-ja do të jetë bartëse dhe prijëse e këtij procesi.

Ne i bëjmë ftesë komplet koalicionit LDK-AKR-Alternativa, në mënyrë që në Kosovë të hapim një kapitull të ri, në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

Në Kosovë ka dy pole: njëri është Vetëvendosje, tjetri PDK-ja. Populli na dha besimin neve. Ne nuk mendojmë që PDK-ja duhet të bëjë qeveri të re, pavarësisht kush është i nominuari për kryeministër. Pas dështimit të tyre për të krijuar qeveri, radha na vije ne, dhe ne jemi në krye të detyrës”, shprehet Kurti. /b.l/noa.al/