Transmetuar më 18-06-2017, 19:41
Publicitet

Madhështia e muajit të Ramazanit është e pa diskutueshme. Ditët dhe netët e këtij muaji dallohen nga ditët e netët e tjera të vitit. Por edhe brenda tyre dallohet një natë që quhet “Nata e Kadrit”. Kjo është ndër netët më të bukura, më të bekuara dhe më të bereqetshme që na ka falur Allahu. Këtë e shpjegon edhe Kur’ani kur thotë:

Në të zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë. Kjo do të thotë se këtë natë përcaktohet kaderi i të gjitha krijesave për vitin që vjen, siç janë: kush do të lindë dhe kush do të vdesë, kush do të fitojë e kush do të humbasë, kush do të jetë i kënaqur dhe kush i hidhëruar. Pra, gjithçka dëshiron Zoti për atë vit. Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, këto vepra, pra, Natën e Kadrit kalojnë nga “Levhi Mahfudhi” në qiejt e tokës.

Thuhet se Natën e Kadrit iu njoftohet meleqëve ajo që do të ndodhë vitin e ardhshëm.

U quajt Kadr sepse kjo është një natë e lartë tek i Madhi Zot dhe se në të falen gjynahet më së shumti dhe mbulohen të këqijat, pra kjo është natë e Magfiretit-mëshirës. Dijetarët islamë e quajtën “festë ndër më të respektuarat, natë e paqes, e mirësisë së përgjithshme, e shpërblimit të pashembullt”.

Njëra prej madhështive të kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre që i drejtohen Zotit të tyre që t’u zgjidhur hallet, për t’u larguar vështirësitë dhe për t’u sjellë gëzim.

Kjo natë është më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj të tjerë. Dhe 1000 muaj bëjnë 83 vjet e 4 muaj. Duke ditur se jeta mesatare e njerëzve në këtë botë nuk i kalon të 74 vjetët, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se tërë jeta e njeriut.

Çfarë duhet të bëjë muslimani e muslimanja Natën e Kadrit?

-Të bëjë sa më shumë dua (lutje).

-Të bëjë teube e istigfar (të pendohet, për mëkatët dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot.

-Të shtojë tespihët (të permendurit dhe të madhëruarit e Allahut) dhe falënderimet.

-Të bëjë salavat për Pejgamberin a.s.

-Të japë sadaka sa të ketë mundësi.

-Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve (duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj).

-Të mos i kalojë namazet pa xhemat (pra të falet sa më tepër në xhami).

-Të falë namaz nafile dhe tesheh-hud (namaz i natës) më tepër se zakonisht.

Si mendim më i vërtet është se nata e Kadrit është në dhjetë ditëshin e fundit në netët tek të muajit Ramazan dhe se ajo shpërngulet për çdo vit.

Këtë mendim e ka imam Neveviu-Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: Na është qartësuar dhe kemi zgjedhur mendimin se nata e Kadrit shpërngulet për çdo vit ndërmjet netëve tek të dhjetëditëshit të fundit të muajit Ramazan, kjo sepse hadithet që kanë ardhur rreth kësaj çështje janë të ndryshme dhe nuk ka rrugë tjetër për bashkimi e tyre përveçse duke thënë se ajo shpërngulet ndërmjet dhjetëditëshit të fundit në netët tek të muajit Ramazan.