Transmetuar më 24-06-2017, 18:23
Publicitet

Dy persona në Kavajë kërcënojnë dhe rrahin një vëzhgues, duke e akuzuar se shpërndante para për Partinë Socialiste.

Gjatë mesditës së sotme, në komisariatin e policisë së Kavajës, është paraqitur Tedi Petro, 26 vjeç për të bërë denoncim.

Noa.al mëson se ai ka bërë kallëzim duke thënë se paraditen e sotme, teksa ishte duke pritur një shokun e tij në rrugë në vendin e quajtur nënstacioni elektrik në lagjen nr. 2 Kavajë u është afruar një makinë.

Ai ka treguar para uniformave blu, se para tij ka ndaluar një fuoristradë e bardhë prej së cilës kanë zbritur shtetasit Ali Sakja, dhe Brikel Xhihani (Heka).

Petro pretendon se Ali Sakja e ka qëlluar dy herë me grusht në fytyrë dhe i ka thënë se po shpërndante lekë për Partinë Socialiste dhe kandidatin e saj për kryebashkiak.

Sipas tij, Sakja dhe Xhihani e kanë kërcënuar me fjalë duke i thënë se “ta tregojmë ne ty, kemi punë mbas zgjedhjeve bashkë”.

Noa.al mëson sakaq, se Tedi Petro është vëzhgues i Partisë Socialiste në qendrën e votimit tek nënstacioni elektrik.

Nga ana e uniformave blu u bë shpallja në kërkim e mbështetësve të Partisë Demokratike Ali Sakja 59 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr, 2 Kavajë dhe Brikel Xhihani, 31 vjeç, banues ne lagjen nr.1 , Kavajë.

Lidhur me këtë ngjarje vijojnë ende hetimet ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Kavajës për veprën penale “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Kujtojmë se ditën e nesërme krahas zgjedhjeve të përgjithshme Kavaja voton edhe për kryebashkiakun, ku për këtë pozicion kandidon Dorian Murati i PS, Isa Sakja nga PD dhe Maksim Kona për LSI. /a.y/noa.al

Loading...