Transmetuar më 14-07-2017, 09:01
Publicitet

Ramush Haradinaj është në përpjekje për të formuar qeverinë e re të Kosovës, dhe për të qenë ai Kryeministër në mandatin e ardhshëm. Në mesin e zërave skeptikë, kandidati për Kryeministër i koalicionit PAN, ka deklaruar se qeveria do të formohet javën e ardhshme.

Për formimin e Qeverisë nevojiten minimalisht 61 vota, ndërsa Haradinaj besohet të ketë 62, njofton Klan Kosova. Ramush Haradinaj ka pasur një takim informal të enjten me Hashim Thaçin dhe e ka njoftuar atë se ai i ka votat e nevojshme (minimalisht 61) për formimin e Qeverisë.

Burime bëjnë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet javën e ardhshme, ku më pas besohet se do të formohet edhe qeveria e re.

Të enjten, pas takimit të kandidatit të koalicionit fitues PAN dhe Presidentit të vendit, në një deklaratë për media Haradinaj ka pohuar se në takim nuk ka pasur akordim për datën e saktë të thirrjes së seancës konstituive të legjislaturës së re.