Transmetuar më 24-07-2017, 15:43

Zbulohen detaje për autorin e dyshuar të krimit në familjen Metallari në Bathore. Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin Mirald Metallari, 21 vjeç.

Personi që shikoni në fotogaleri, të publikuar sot nga Tv Klan, është dhe autori i dyshuar i këtij krimi të rëndë, pasi akuzohet se vrau babain dhe plagosi nënën.

Mësohet se autori i dyshuar i krimit ishte prej dy vitesh emigrant në Gjermani. Ai kishte vetëm 6 muaj që ishte kthyer nga emigracioni.

Burime nga fqinjët thonë se ai nuk e kishte përjetuar mirë kthimin nga Gjermania, por policia ende nuk ka dalë me një version lidhur me gjendjen e djalit në momentin kur qëlloi me armë mbi prindërit.

Pas sherrit me të atin, Myftar Metallarin, një oficer rendi në komisariatin nr. 5 në Kamzë, djali ka rrëmbyer armën e shërbimit të të atit të tij polic dhe ka qëlluar mbi të dy prindërit, duke lënë të vdekur në vend babanë dhe duke plagosur nënën Nurie Metallari.

Ndërsa gjatë dëshmisë së tij në polici, i riu është shfaqur i tronditur, kur ka treguar ngjarjen mes lotëve, “Bëmë fjalë, më pas mora armën dhe qëllova”.

Më tej ka treguar se babai paraditen e sotme, i kishte kërkuar të ndërtonte një mur, pranë banesës, por 21-vjeçari e kishte kundërshtuar.

Në këtë moment kanë nisur debatet me fjalë mes tij dhe të atit Myftar Metallari, 62 vjeç, duke bërë që i riu të rrëmbejë armën dhe të qëllojë.

Miraldi ka shprehur pendesë, duke deklaruar se i shkatërroi jetën edhe së motrës e cila në fund të gushtit do të martohej. Pak pas ngjarjes nga ana e policisë 21-vjeçari u arrestua.

I riu u kap nga efektivët e policë gjatë kohës kur po transportonte të ëmën në spital dhe shoqërua në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja dhe një pistoletë e llojit TT model 56.

I riu u arrestua nën akuzën e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme.