Transmetuar më 24-07-2017, 22:36

Ilir Meta mori këtë të hënë detyrën madhore të Presidentit të Republikës, një muaj pas zgjedhjeve, ku ish partia e tij nuk arriti një rezultat kushtëzues për qeverinë e Edi Ramës.Intervistën e parë, Meta e ka dhënë po këtë ditë për emisionin “Top Story”, rreth një orë pas përfundimit të ceremonisë së marrjes së detyrës në Presidencë. Përballë gazetarit Sokol Balla ai u është përgjigjur pyetjeve: A do dijë ai të jetë president mbi palët? A do ti qëndrojë atyre që tha në fushatë, tani që do jetë kryetar i shtetit? A do ta dekretojë ai qeverinë me njerëz që akuzohen nga LSI se kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë mbyllur sytë ndaj mbjelljes së hashashit? 

Sokol Balla: Zoti president, faleminderit që jeni me mua sonte.

Ilir Meta: Faleminderit për ftesën tuaj dhe përfitoj për të përshëndetur qytetarët. 

Sokol Balla: Të jesh president është një kulminacion për çdo njeri në jetë dhe siç e keni thënë në intervistat tuaja, ju vini nga një familje e zakonshme. ç’do të thotë kjo për ju?

Ilir Meta: E theksova edhe sot faktin se unë ia dedikoj këtë detyrë ku jam sot, sikurse kam qenë në detyra të tjera të larta, demokracisë dhe përpjekjeve të qytetarëve shqiptare për demokraci. Natyrisht edhe përpjekjeve të mia të palodhura për demokraci. 

Sokol Balla: Komentuam dorëzimin e presidencës nga zoti Nishani. Nuk mund të mos vihej re që për herë të parë presidenti nuk rreshton pranë tij bashkëshorten. A është bashkëshortja juaj zonja e parë?

Ilir Meta: Personi për të cilin flisni nuk ndihet rehat në rresht. Së dyti, Monika ka bërë zgjedhjen e saj publike. Kur unë jam zgjedhur president ajo është zgjedhur nënkryetare e LSI, për të qenë një politikane aktive. Ndaj unë besoj se pozicioni i saj dhe paraqitja e sotme janë një mesazh i qartë se presidenti dhe presidenca nuk mund të përfitohen nga askush, përfshirë për qëllime të caktuara politike. 

Sokol Balla: Gjëja e dytë që më bëri përshtypje ishte shtrëngimi i duarve me kryeministrin. Shtrënguat duart, por jo shikimin

Ilir Meta: Unë e pash dhe më duket se edhe ai më pa. 

Sokol Balla: Këtej e tutje doni s’doni do keni kontakte institucionale, por a do ketë kontakt njerëzor mes Ramës dhe Metës?

Ilir Meta: Unë e thash qartë. Sapo hyra këtu lash pas 25 vite në politike. Është detyrim kushtetues dhe qytetar dhe unë jam i hapur për bashkëpunim jo vetëm me zotin rama por edhe aktorët e tjerë politikë në vend. Është detyrim.

Sokol Balla: A menduat të jepnit dorëheqjen gjatë këtyre muajve, siç edhe e shprehët?

Ilir Meta: Unë e kam bërë të qartë pasi jam zgjedhur, kur opozita vijonte protestën. Jemi shprehur edhe më 17 maj edhe zoti Vasili e ka thënë qartë se LSI kërkon zbatimin e paketës McAllister dhe se për këtë gjë është e gatshme të tërhiqet edhe nga posti i presidentit, që ishte pikë në këtë paketë. Natyrisht që më pas nuk më ka shkuar ndërmend të jap dorëheqjen për arsye të tjera, pasi do të ishte e papërgjegjshme dhe mungesë respekti për institucionin e Presidencës dhe partnerët e tjerë. 

Sokol Balla: Tek disa shihej me sy të mirë zgjedhja juaj, tek disa jo. Dukej sikur LSI nuk do të mbijetonte pa Ilir Metën

Ilir Meta: Dje ishte dje, sot është sot. Aq më tepër që për mua, nga dita e sotme, pas orës 18:00, ka një ndryshim institucional dhe cilësor. Unë jam i përqendruar në këtë detyrë me shumë përgjegjshmëri dhe në respekt të Kushtetutës. Por sa për këto historitë me LSI-në duhet të përsëris se kur është krijuar LSI-ja është përcaktuar në statut që kryetari nuk duhet të rrinte më shumë se 2 mandate. U tejkalua dhe sikur të mos ndodhte zgjedhja president, qëndrimi im në krye të LSI do të kishte përfunduar. Tani jam i përqëndruar në një detyrë të re. 

Sokol Balla: Pse u përkeqësuan marrëdhëniet kaq shpejt mes partnerëve të qeverisjes?

Ilir Meta: Ato kanë qenë raporte që i takojnë së kaluarës, tani unë jam i hapur për raporte të reja, institucionale, bashkëpunimi, pa asnjë lloj paragjykimi. 

Sokol Balla: Kam dëgjuar që kryeministri ju ka telefonuar sërish dhe ju sërish nuk jeni përgjigjur. Si do ta menaxhoni këtë raport të ftohur?

Ilir Meta: Sapo u takuam…

Sokol Balla: Por ju i shtrënguat dorën dhe shikonit atletet e tij

Ilir Meta: Atletet janë diçka normale, nuk është hera e parë që ai i zgjedh dhe unë i kam dhënë dorën kryeministrit në këtë ceremoni për presidentin. 

Sokol Balla: Ndër vite raporti i presidentit dhe kryeministrit është dukur si një mallkim, në kuptimin që ka qenë problematik. A do ta ndryshoni ju këtë trend?

Ilir Meta: Mund të them që bashkëpunimi im si kryeministër me presidentin e atëhershëm Rexhep Meidani ka qenë i shkëlqyer. Së dyti, unë jam bashkëpunues me të gjithë dhe padyshim që do të jem me kryeministrin Rama, çdo qeveri e çdo parti të opozitës. Kjo është detyra kryesore e presidentit, të punojë për unitet, në interes të vendit dhe qytetarëve. 

Sokol Balla: Pati pikëpyetje përfshirja juaj në fushatë. A keni reflektuar për këtë?

Ilir Meta: Unë jam president nga ora 18:00. 

Sokol Balla: E bëj këtë pyetje pasi ju keni humbur, le të themi sharmin tuaj. Çfarë do të bëni për të restauruar besimin e rënë ndaj jush, si një person që ngrihet mbi palët?

Ilir Meta: Janë të gjitha mundësitë që ky institucion (Presidenca) gjatë këtyre 5 viteve t’iu provojë qytetarëve se është një institucion që punon për ta dhe për vendin.

Sokol Balla: Zoti President, ju patët deklaruar se nuk do të dekretoni emrat që lidhen me kanabizimin dhe e bëtë këtë gjatë periudhës kur ishit zgjedhur President. Thatë që nuk do të dekretoni një Kryeministër që vjedh zgjedhjet. Ka patur akuza nga PD për blerje votash, nga LIBRA për vjedhje, duhet të presim surpriza në shtator për qeverinë e re?

Presidenti Meta: Do të përmbush gjithë detyrimet e mia kushtetuese në mënyrën më korrekte dhe sigurisht që duhet të presim konstituimin e parlamentit të ri.

Sokol Balla: Do të merrni në konsideratë të gjitha ato që keni paralajmëruar si President i zgjedhur, kur keni thënë që nuk do të dekretoni ministra që janë akuzuar për lidhje me kanabizimin e vendit. Saimir Tahirin do ta dekretoni?

Presidenti Meta: Duhet të prisni vendime kushtetuese, institucionale dhe transparente. Kjo është një gjuhë institucionale, sepse ka procedura sesi ndodh ky proces. 

Sokol Balla: Duhet të kemi një ide sesi do të funksionojë kjo…

Presidenti Meta: Edhe unë sa kam hyrë, sepse këtu ka një praktikë, ka këshilltarë ka zyra dhe do të më duhet edhe mua koha ime.

Sokol Balla: Cilat do të jenë prioritetet e presidencës tuaj?

Presidenti Meta: E kam bërë të qartë që për mua duhet të rrisim besimin e të rinjve për të qendruar në Shqipëri. Në takimin që pata me Presidentin Nishani para se të merrja detyrën, edhe ai më shprehu këtë shqetësim se shumë të rinj të aftë kërkojn të lënë shtetësinë shqiptare për të marrë një shtetësi tjetër. Ky është një problem për vendin, jo se ësthë e ndaluar. Ne duhet të rrisim shpresën tek të rinjtë që të shohin të ardhmen këtu. Kjo kërkon bashkëpunim mes gjithë institucioneve.

Sokol Balla: Një ndër konfliktet e Nishanit ka qenë politikat e jashtme. Presidentët janë ndryshuar tashmë, por me gjasë ministri i Jashtëm do të jetë i njëjtë mesa duket, Ditmir Bushati. Edhe ju si Nishani keni patur një marrëdhënie të ftohtë me ministrin Bushati.

Presidenti Meta: Nuk kam patur debate me ministrin e Jashtëm, ka patur debate për ligjet dhe kjo është normale në Kuvend. Shqipëria në këtë drejtim duhet të ketë bashkëpunim në politikën e jashtme, duhet të tregojë seriozitet dhe të ndjekë një politikë afatgjatë, pasi nëse në politikën e brendshme tolerohen gabimet, në politikën e jashtme janë me kosto.

Sokol Balla: Do shohim bllokim ambasadorësh?

Presidenti Meta: Nuk jam këtu as për t’i bërë fresk qeverisë, as për t’i bërë opozitë dhe as për ta bllokuar. Jam këtu për të bërë më të mirën, për të bashkëpunuar për t’i dhënë vendit më të mirën.

Sokol Balla: Nëse Rama sjell sërish Visar Zhitin për ambasador, do ta emëronit atë?

Presidenti Meta: Parimi im ka qenë që të mbajmë marrëdhënie shumë të mira me vendet fqinje, pavarësisht nga përkatësitë ideologjike, si në Greqi, Maqedoni, Malin e Zi. 

Sokol Balla: Në Maqedoni, edhe në krizën e fundit, Tirana zyrtare e anashkaloi Gruevskin, ju patët një qëndrim më të hapur për Gruevskin. 

Presidenti Meta: Gruevski është nga politikanët në Maqedoni me të cilin kam patur njohje dhe kontakte më të pakta. Marrëdhëniet e mia në Maqedoni janë shumë të hershme me Cervenkovskin dhe Buckovskin. Unë e kam thënë prej vitesh është puna shumë e mirë që Maqedonia ka bërë në krijimin e parqeve industriale. Kam theksuar që në këtë drejtim duhet të mësojmë nga Maqedonia për të krijuar lehtësi për investitorët e huaj. 

Sokol Bala: Të shkojmë tek raportet me Greqinë. Vizita juaj në Athinë ishte në kulm të tensioneve, pati kritika për mënyrën sesi folët atje, pati debat të fortë mes jush dhe Idrizit. Tashmë jeni President dhe mes dy vendeve lista e problemeve për t’u zgjidhur është e gjatë.

Presidenti Meta: Jam i angazhuar për të forcuar politikën e fqinjësisë dhe bashkëpunimit të mirë me vendet fqinjë dhe rajonit. Nuk do të jem në garë me askënd për të fituar pikë në raport me vendet fqinjë apo çështje të caktuara sepse nuk i përkas asnjë force politike. Për mua i rëndësishëm është interesi kombëtar dhe interesi kombëtar kërkon që të gjitha problemet të punojmë që t’i zgjidhim me dinjitet, mençuri, por pa cenuar bashkëpunimin e gjithanshëm, sepse nëse listojmë problemet, është e pamundur të listojmë bashkëpunimet që kemi me Greqinë dhe gjithë vendet e tjera të rajonit. Do përpiqem të bashkëpunojmë dhe të kemi një politikë sa më të unifikuar të jashtme.

Sokol Balla: Më kujtohet vizita juaj e parë si kryeminstër në Athinë dhe hapet çështjen çame, do ta bëni tani President?

Presidenti Meta: Çështja çame nuk ka nevojë të hapet, ka nevojë të zgjidhet dhe është e rëndësishme të gjejmë një zgjidhje për qytetarët shqiptarë që janë larguar me dhunë nga trojet e tyre në Greqi në një kohë të caktuar, por acarimi i marrëdhënieve me Greqinë nuk ndihmon në zgjidhjen e këtyre problemeve, përkundrazi dëmtojnë të dyja vendet.

Sokol Balla: Ju keni qenë dy herë ministër i Jashtëm dhe shkathtësia juaj politike ka bërë që të lini shenjat e para të normalitetit edhe me Beogradin. Ju keni bërë një vizitë edhe në Moskë, ju keni patur një shqisë të gjashtë sa i takon diplomacisë.

Presidenti Meta: Ne do të kujdesemi për të drejtat e shqiptarëve gjithmonë, duke bërë më të mirën përmes një politike bashkëpunimi e cila i rrit kredencialet e politikës së jashtme të Shqipërisë, që fiton respektin dhe vëmendjen e mirëkuptimin e partnerëve që na mbështesin për gjitha çështjet e drejta që u mungojnë dhe nuk i kanë fituar shqiptarët kudo që janë. 

Sokol Balla: Zoti Rama tha pas fitores se nuk do të mbante fotografinë tuaj në zyrën e tij si President, ju shqetëson kjo?

Presidenti Meta: Mua kjo më qetëson, sepse qetëson edhe atë.

Sokol Balla: Besimi tek drejtësia është thuajse zero, ju shqetëson kjo?

Presidenti Meta: Kjo më shqetëson sepse reforma në drejtësi nuk është as e Presidentit, as e Qeverisë, reforma është e qytetarëve dhe për qytetarët. Unë jam në këtë zyrë për të mos bërë as lojën e qeverisë, as të opozitës, por për të zbatuar Kushtetutën e vendit dhe për të bërë lojën më të mirë për Shqipërinë në mënyrë të hapur, bashkëpunuese, larg konflikteve të panevojshme. Për mua parësore do të jetë transparenca dhe integritetit edhe për çështjet ku ka rol të drejtpërdrejtë Presidenti. 

Sokol Balla: Bujar Nishani tha që ky është pozicioni më i lartë që një perosn mund të arrijë, sot jeni President, është mjaft për ambiciet apo planet e Ilir Metës?

Presidenti Meta: Ambicia ime është të përmbush këtë detyrë që më është besuar dhe për mua është e rëndësishme ku do të jetë Shqipëria pas pesë vitesh, jo ku do të jem unë.

Sokol Balla: Ku do të jetë Ilir Meta?

Presidenti Meta: Duhet të jetë vendi i kthimit të të rinjve, të sillnin njohuritë që kanë marrë dhe t’i japim një goditje të fortë tendencës për emigracion, sidomos të të rinjve dhe njerëzve më të kualifikuar që na duhen këtu për ta çuar Shqipërinë më shpejt drejt plotësimit të standardeve të një vendi europian këtu.

Sokol Balla: Mund të jetë Shqipëria vend i BE pas pesë vitesh?

Presidenti Meta: Nuk jam kaq optimist për këtë çështje. Kërkojmë ende hapjen e negociatave dhe nga përvojat e vendeve të tjera, ky proces ka kërkuar jo pak kohë. Është një proces që varet edhe nga BE dhe nga shumë zhvillime që do të ketë vetë BE, por që ne të rrisim besimin e të rinjve për të realizuar ëndrrat e tyre në vendin tonë dhe vendin e tyre, mendoj se e kemi ne në dorë. Anëtarësimi në BE është një instrument për rritjen e standardeve. 

Sokol Balla: Çfarë do të bëni pas 5 vitesh? Do merrni mbrapsht teserën e LSI?

Presidenti Meta: Nuk e di çfarë do të bëj pas 5 vitesh, por di që gjatë këtyre pesë viteve do të bëj gjithçka për t’u qëndruar angazhimeve të mia./TCH.