Transmetuar më 25-07-2017, 08:29

Dalin detaje të reja lidhur me krimin në familje, ku djali vrau babanë dhe plagosi nënën e tij, në banesën e tyre në zonën e Bathores në periferi të Tiranës.

21-vjeçari Mirald Metallari ka pranuar para hetuesve autorësinë e krimit, duke treguar mes lotësh se çfarë ka ndodhur.

“Nuk doja të ndodhte, as vetë nuk e di si e kam shkrepur armën. Nuk doja të vrisja njeri, por isha shumë i tronditur”, ka thënë i riu në polici.

Më tej ai ka pyetur për gjendjen e nënës, duke qenë i sigurt se i ati kishte vdekur.

Po ashtu ka treguar se debati ka ndodhur pas një sherri për një mur që po ndërtonin në banesë, në pjesën e oborrit të shtëpisë.

I ati, Myftar Metallari 62 vjeç, efektiv policie, e ka kritikuar të birin se pse nuk e kishte ndërtuar mirë murin, pasi për pak ditë kishin dasmë, martohej vajza e madhe  shtëpisë, motra e autorit të dyshuar dhe vajza e viktimës.

Por në debat e sipër, i riu ka humbur kontrollin dhe ka rrëmbyer armën e shërbimit të të atit duke e vrarë, ndërkohë që ka plagosur dhe nënën Nurie Metallari 47 vjeçe, e cila kishte hyrë mes tyre për t’i ndarë.

Miraldi ka treguar se ishte në gjendje të rënduar psikologjike, për shkak të faktit se prej pak kohësh e kishin kthyer nga Anglia, ku kishte qëndruar për dy vite.

Ai u tha hetuesve se sakrifikoi shumë për të shkuar në Angli, por për shkak se nuk kishte dokumente e kthyen.

“E dija që e kisha të pamundur që të shkoja prapë atje dhe kjo ishte një situatë që më kishte rënduar shumë psikologjikisht. Nuk kam qenë mirë gjatë këtyre muajve që kam ardhur në Shqipëri”, është shprehur i riu. /a.y/noa.al