Transmetuar më 25-07-2017, 11:07

Një ditë pasi u betua si President i Republikës, Ilir Meta ka marrë sot një telegram urimi nga Mbretëresha e Anglisë, Elizabeth II.

Në mesazhin e saj, Mbretëresha Elizabeth II, e uron z. Meta për përurimin e tij si President dhe thekson se bashkëpunimi midis dy vendeve do të vijojë ngushtësisht për të fuqizuar më tej marrëdhëniet.

“Dëshiroj t’ju uroj me rastin e përurimit Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Unë dhe Qeveria ime presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe të fuqizojmë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Ju përcjell Ju dhe popullit të Republikës së Shqipërisë urimet e mia më të mira për të ardhmen”,  shkruhet në mesazhin e Mbretëreshës Elizabeta II.

Ilir Meta u betua ditën e djeshme si President në sallën e Parlamentit, për të vijuar më pas me marrjen e detyrës nga Bujar Nishani.

Në fjalimet e tij, Meta garantoi se do të lërë pas krahëve çdo debat dhe përplasje politike, duke shprehur angazhimin e bashkëpunimit me të gjithë faktorët. /k.k.noa.al/