Transmetuar më 02-08-2017, 21:19

Kantautori i mirënjohur Sidrit Bejleri ka reaguar në lidhje me vrasjen e të riut Marvi Mihali, i cili humbi jetën dy ditë më parë as një sherri mes një grupi të rinjsh, pranë stadiumit “Selman Stermasi” për një karikues telefoni.

Ai këshillon dhe i lutet prindërve që të kontrollojnë fëmijët se “çfarë shohin dhe çfarë dëgjojnë, sepse këtu zë fill brumosja e tyre dhe ajo çfarë do bëjnë në të ardhmen”.

“Po ju serviret "muzikë" që nuk është muzikë, nga njerëz që i thonë vetes "artistë". Tekste bastarde që i "shkruajnë" tipa që dyshoj në dinë të shkruajnë edhe emrin e tyre. Kuptojeni një herë e mirë që ata duan të shesin "muzikën" dhe "tekstet" e tyre, por po shkatërrojnë brezin e sotëm dhe jo vetëm”, shkruan Sidriti në një postim në Facebook.

Postimi i plotë i Sidrit Bejlerit:

JU LUTEM VEMENDJE!

Nuk është hera e pare që e them:

Ju lutem prindër, kontrolloni fëmijët çfarë shohin dhe çfarë dëgjojnë, sepse këtu zë fill brumosja e tyre dhe ajo çfarë do bëjnë në të ardhmen. Po ju serviret "muzikë" që nuk është muzikë, nga njerëz që i thonë vetes "artistë". Tekste bastarde që i "shkruajnë" tipa që dyshoj në dinë të shkruajnë edhe emrin e tyre. Kuptojeni një herë e mirë që ata duan të shesin "muzikën" dhe "tekstet" e tyre, por po shkatërrojnë brezin e sotëm dhe jo vetëm. Fëmijë dhe adoleshentë që këndojnë me shpirt llumin që përçohet nga tregtarë të shpifur që në thelbin e ditës së tyre kanë vetëm paranë, duke harruar se kanë fëmijë vete ose do kenë një ditë.

Po na krijojnë modë dhunën, po na i thurin lavde drogës, prostitutave dhe lakuriqësisë. Po mundohen të na mbushin mendjen se e keqja është e mirë, se alkoli dhe droga të burrërojnë, se imoraliteti duhet të jetë kult i ditëve tona duke harruar që familja është e shenjtë dhe një ditë nuk do donin as ata që t’u cënohej.

Sot gjykoj si prind, por edhe si një person që para pothuaj 20 vitesh isha në moshën e atij djali që mbrëmë ndërroi jetë nga një zënkë banale…

Nuk do i uroja askujt të ishte në vendin e familjes së viktimës ose të vrasësit!

Kontrollojini që në fëmijëri!

Muzika është profesioni im dhe ndikon shumë, më besoni. Mesazhi i saj kthehet në mënyrë të jetuari dersa njeriu fillon dhe kupton realisht, pra piqet!

Të gjithë duam më të mirën për fëmijët tanë.

Gjërat e mëdha bëhen duke filluar nga të voglat!

Drejtojini tek e Vërteta, larg gënjeshtrave të përditshme që gjenerojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim të vlerave!

Helmimit të trupit edhe mund t’ja gjejmë ilaçin, por helmimi i shpirtit vetëm në një vend e ka shërimin…/a.k/noa.al/