Transmetuar më 19-08-2017, 19:19

“Sekrete të Mrekullueshme të Botës” është një guidë e publikuar së fundmi nga Lonely Planet, i cili synon që t’u tregojë turistëve kureshtarë, detaje në 360 gradë të disa vendeve të mrekullueshme në botë, ekzistencën e të cilave thuasje nuk e di askush.

Shtëpia për kukulla në lumin Drina/ Bajina Basta, Bosnjë-Hercegovinë

Të lodhur nga zhurma e qytetit apo nga disa fqinjë që nuk pushojnë kurrë së foluri? Ilaçi i shpëtimit për ju do të ishte shtëpia në lumin Drina, që ndan Bosnjë-Hercegovinën me Serbinë. E ndërtuar më 1960 nga vendasit që donin të clodheshin në gjirin e natyrës, kjo shtëpi përrallore duket sikur ka sfiduar rregullat e gravitetit dhe qëndron krenare mbi një shkëmb në mes të këtij lumi.

Që prej atij viti, kjo shtëpi është ndërtuar disa herë, duke qenë se ajo është shkatërruar nga vërshimet e furishme të lumit. Në ditët e sotme, ajo vizitohet nga turistët të cilët ushtrojnë sportin e kanotazhit në këtë lumë.

Të fluturosh në fund të botës/ Tungurahua, Ekuador

Shtëpia në një prej pemëve më të larta në xhunglën e Ekuadorit, ofron pamje të mrekullueshme nga dritarja e saj, atë të vullkanit aktiv Tungurahua, shtëpi e cila funksionon aktualisht edhe si një stacion sizmik vëzhgues për vullkanin.

Një shilarëse e varur me dy litarë shumë të fortë qëndron e varur në një prej trungjeve poshtë pemës së kësaj shtëpie, njëkohësisht edhe një prej objekteve që ndez kureshjten e pothuasje të gjithë turistëve që vendosin të vizitojnë vullkanin Tungurahua.

Anija e braktisur e shpirtrave/ Kentucky, ShBA

Në jug të lumit Ohio në Petersburg, Kentucky, ndodhet anija e shpirtrave e njohur me emrin, Sachem. Ngjyrat e ndryshme që e kanë rrethuar këtë anije, e cila qëndron në Kentucky të SHBA-së, përfaqësojnë historinë e jetës së saj që nga fillimet e deri më sot.

Ajo ka shërbyer si një anije luksoze në fillim të viteve 1902, e cila ishte në pronësi të Thomas Edison. Në 1917, ajo iu shit Ushtrisë amerikane, e cila thuajse e shndërroi atë krejtësisht, në mënyrë që ajo të ishte sa më rezistente dhe të kishte jetëgjatësi në Luftën e Parë Botërore, shkruan Monitor.al. Pas luftës, ajo u shit dhe shërbente vetëm si një anije e thjeshtë peshkimi.

Pas përfundimit edhe të Luftës së Dytë Botërore, ajo shërbeu si një anije turistësh në qytetin e Nju Jorkut për gati 40 vjet, periudhë gjatë së cilës ajo doli edhe një herë në videoklipin e këngëtares së njohur Madona,  “Papa Don’t Preach”.

Katedralja mbi ujërat e bekuara/ Narino, Kolumbi

Kjo katedrale ndodhet rreth 100 metra mbi lumin Guaitara. Themelet e kësaj ndërtese katolike romane, e cila të jep përshtypjen e një kështjelle ndodhen në ujëra të bekuara. Sipas legjendës, një nënë së bashku me vajzën e saj shurdhmemece i zuri një stuhi e fortë pikërisht në këtë vend gjatë viteve 1754. Kur ato u strehuan pranë rrjedhës së lumit thonë se panë t’u shfaqej Shën Maria e reflektuar në një prej gurëve të lumit dhe që prej atij momenti vajza filloi të dëgjonte dhe të fliste.

Pas kësaj mrekullie, edhe një burrë i verbër, pasi kaloi një natë në këtë vend, të nesërmen i kishte ardhur shikimi dhe që nga ai moment ky vend u kthye në një vend peligrinazhi. Në 1949-n u ndërtua edhe kjo katedrale.

Lugina e Hënës, Parajsa e Goias në Brazil

Janë dashur disa miliona vjet dhe triliarda litra ujë për të krijuar dhe për t’i dhënë formën e mrekullueshme shkëmbinjve në Luginën e Hënës, në lumin Sao Migel në Brazil.

Liqeni Kaindy/ Malet Tian Shan, Kazakistan

Bredha të shumtë rriten nga ujërat e liqenit Kaindy në malet Tian Shan, ku një pyll i tërë ka lulëzuar për rënies së një tërmeti të fuqishëm. Ai ka një sipërfaqe rreth 2000 metra katrorë dhe ndodhet në kufi ndërmjet Kazakistanit dhe Kirgistanit.

Lugina e Vdekjes në gadishullin Kamchatka, Rusi

Ky është një prej territoreve më të rrezikshëm jo vetëm në Rusi por në të gjithë botën. Edhe pse sa përmend Rusinë, të vijnë menjëherë ndër mend temperaturat shumë të ulëta, kjo luginë është krejt e kundërta, sepse këtu temperaturat shkojnë deri në 250 gradë Celcius. Në këtë luginë nuk mund të gjesh asnjë lloj kafshe dhe asnjë lloj bimësie, jo vetëm për shkak të temperaturave të larta por kryesisht si pasojë e gazrave të shumtë toksikë që e bëjnë të pamundur zhvillimin e jetës.

Shkallët Ha’iku/ Hauai, SHBA

Të njohura ndryshe si Shkallët për në Parajsë, 3,922 shkallët ndodhen në ishullin Hauai që duket sikur humbet në horizont. Në vitin 1950, shkallët e vjetra ekzistuese prej druri u zëvendësuan nga ato metalike.