Transmetuar më 21-08-2017, 10:36

Ndahet nga jeta para kohe, ish-Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Shkak për vdekjen e tij u bë goditja nga hemorragjia cerebrale.

Prej disa muajsh ai ndodhej në koma, ndërsa ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare në një prej spitaleve të Turqisë, ku ishte dërguar për mjekim të specializuar.

Rexhepi prej muajsh ndodhej në koma pas sulmeve të pësuara në tru.

Fillimisht Rexhepi u shtrua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku edhe i’u nënshtrua një operacioni, por për shkak të gjendjes së rëndë u transferua në Turqi.

Vdekjen e ish-Kryeministrit e ka konfirmuar ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu.

Bajram Rexhepi u zgjodh Kryeministër i Kosovës më mars të vitit 2002. Rexhepi, i lindur në Mitrovicë, ishte diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe deri në vitet ‘90 kishte punuar si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. /a.y/noa.al