Transmetuar më 23-08-2017, 20:46
Publicitet

Sezoni turistik që ka gushtin si muajin e pikut, u shoqërua me 35 plaçkitje, një pjesë e të cilave me dhunë, me fokus pushues shqiptarë dhe të huaj, ose më shumë se një të tillë në ditë.

Shifrat e Policisë së Shtetit gjithsesi nuk përfshijnë dhe plot vjedhje të padenoncuara që ndodhin në plazhet e vendit, kryesisht nëpër çadra dhe dhoma pushimi.

Policia e Shtetit thotë se, ngjarjet kriminale me fokus vjedhjen në shkallë të ndryshme deri dhunë fizike, janë evidentuar kryesisht në zonat bregdetare por edhe ato malore, që frekuentohen nga pushuesit vendas dhe të huaj.

“Po të shohim muajin gusht, objekt vjedhjesh kanë qenë celularët, në një rast kemi vjedhje automjeti, një tjetër vjedhje kasaforte, ndërsa portofolët dhe varëset janë më të shumta, duke u evidentuar 10 raste. Në këtë sezon turistik ka një veçanti, sepse përveç dëmtimit të shtetasve shqiptarë kemi edhe të dëmtuar në 15 raste edhe shtetas të huaj, përfshi këtu suedezë, polakë”, tha Albert Dervishaj, drejtor i Rendit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai shtoi se në kthetrat e hajdutëve plaçkitës kanë qenë edhe shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë.

Në ndjekje të këtyre krimeve, janë vënë në pranga disa të rinj, që akuzohen se i realizonin vjedhjet në grup.

Zyrtari policor tregon skemën si kryhen një pjesë e mirë e plaçkitjeve: “Një nga mekanizmat që ata përdorin është që, pasi kanë realizuar dy apo tre vjedhje, të largohen, në mënyrë që t’i shpëtojnë edhe ndjekjes së policisë, por edhe të vijojnë krimet e tyre në një vend tjetër. Një mekanizëm i tillë është shfaqur në disa raste, ku elementë shëtitës kanë realizuar vjedhje në vende të ndryshme në vendin tonë”. Dervishaj pohon se hetimet vijojnë për disa ngjarje të tjera të pazbardhura.

Sakaq, janë identifikuar edhe vjedhje me dhunë ku nuk kanë munguar armët e zjarrit, edhe në fshatrat grekë të Igumenicës. Protagonistë kanë qenë të rinj shqiptarë. Ata u arrestuan para pak kohësh nga policia e Sarandës.

Edhe pse një pjesë e mirë e autorëve të këtyre plaçkitjeve arrestohen nga policia, ajo që përbën shqetësim kryesor për personat e dëmtuar është fakti se ata nuk marrin mbrapsht paratë dhe sendet që u janë vjedhur, pasi në shumicë dërrmuese, autorëve nuk u gjendet veçse ndonjë pjesë e “trofeve”. /noa.al/

Loading...