Transmetuar më 01-09-2017, 00:49

“Greqia dëshiron dhe mbështet integrimin europian të fqinjit të saj verior, por Shkupi duhet të bëjë disa hapa të caktuara”, ka deklaruar në një konferencë për shtyp me homologun e tij maqedonas, kreu i diplomacisë greke, që ka kryer një vizitë disaorëshe në kryqeytetin e Maqedonisë.

Greqia mbështet stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjit të saj dhe kërkon përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe, për të rritur besimin mes dy vendeve, ka thënë ndër të tjera Nikos Kotzias.

“Ne e duam fqinjin tonë të dashur edhe në NATO, edhe në BE. Por e duam në bazë të rregullave dhe parakushteve të BE-së dhe NATO-s”, tha Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Për të zgjidhur problemet tona duhet të godasim fort irredentizmin, ka qenë përgjigjja e ministrit të Jashtëm grek ndaj thirrjes që i ka bërë Greqisë, homologu i tij Nikola Dimitrov.

“Shpresojmë që Greqia do të njohë realitetin e ri në Maqedoni dhe dëshirën tonë të sinqertë për miqësi. Ne presim dhe shpresojmë për ndihmë dhe mbështetje për integrimin europian”, tha Nikola Dimitrov, ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

“Kemi mësuar nga gabimet e së kaluarës”, ka thënë më tej Dimitrov, por ai i është shmangur përgjigjes, kur është pyetur nëse do t’i prishë qeveria e re statujat e Aleksandrit të Madh, apo nëse do të heqë emërtimet e disa objekteve kombëtare që mbajnë emrin e tij.

Kotzias është takuar edhe me kryeministrin Zoran Zaev, me presidentin Gjorge Ivanov, me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi, me kreun e opozitës Nikola Gruevksi, si dhe kreun e BDI-së Ali Ahmeti, shkruan TCH.

Athina kërkon hapa konkretë në zgjidhjen e çështjes së emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, që mbetet ende pezull midis dy vendeve për më shumë se 26 vite, por pavarësisht dy takimeve të ministrave të Jashtëm në muajt e fundit, ende nuk ka asnjë progres të dukshëm.