Transmetuar më 02-09-2017, 15:00

Tiranë, NOA.al- Zonat Veriore dhe Qendrore dominohen nga vranësira dhe rrebeshe të përkohshme shiu deri në mesditë kur shirat zhvendosen kryesisht drejt zonave jugperëndimore. Pasditja do të fuqizojë vranësirat dhe shirat kryesisht në zonat qendrore ndërsa shira më të dobët do të ketë në veri dhe jug të vendit. Mbrëmja sjell stabilizim gradual të kushteve atmosferike në vend por vranësira kalimtare do të ketë herë pas here deri mëngjesin pasardhës.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie me 2- 3°C në të dy vlerat ekstremale ditore duke bërë që maksimumi në rang territori të zbresë 30°C.

Era do të fryjë mesatare me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor duke bërë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim 3- 4 ballë.

Europa

Zona e Alpeve dhe gadishulli Ballkanik dominohen nga vranësira e rrebeshe të shpeshta shiu. Po ashtu Europa Qendrore dhe Ishujt Britanikë paraqitet në kushtet e vranësirave dhe shirave të përkohshëm.

Por kthjellimet dominojnë tablonë sinoptike të Europës Veriore dhe Lindore si dhe një pjesë të Jugperëndimit të kontinentit. /a.y/noa.al