Transmetuar më 04-09-2017, 12:33

Është zgjedhur kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pas votimit, anëtarët e Akademisë kanë zgjedhur Gudar Beqirajn si kryetarin e ri me 28 vota pro dhe 3 kundër.

Beqiraj zëvendëson në këtë post, Myzafer Korkutin. Ky i fundit është zgjedhur zv/kryetar i  Akademisë me 27 vota pro.

Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave janë shoqëruar me një debat të madh mes anëtarëve dhe Artan Fuga ka qenë një nga kundërshtarët e këtyre zgjedhjeve, duke i quajtur si farsë.

Sot për zgjedhjet në Akademi reagoi edhe kryeministri Edi Rama i cili kërkoi reformë ose nuk do të jepet asnjë lek, por do u merret edhe ndërtesa. Ai tha i vendosur se nëse nuk ndodh reformim, nuk do të jepet më asnjë qindarkë.

“Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave, nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj stop farsës”, shkruante  Rama në Facebook.

E themeluar më 1972, Akademia e Shkencave është institucioni më i madh shkencor në Shqipëri. Me 26 anëtarë, akademikë; 13 anëtarë, akademikë të asociuar dhe 26 anëtarë nderi, akademia ka dy seksione: Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe atë të Shkencave Natyrore dhe Teknike. /b.l/noa.al/