Transmetuar më 04-09-2017, 20:42

Xhiroja e deklaruar e biznesit shqiptar u rrit me ritme dyshifrore në gusht, me sezonin turistik që ka rezultuar përcaktues jo vetëm për ecurinë e ekonomisë, por edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit.

“Për muajin gusht dhe këtu nuk përfshihen tatimpaguesit që janë në regjimin e TVSH-së, xhiroja e deklaruar nga biznesi është 5.4 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar; dhe janë lëshuar 2 milionë kupona më shumë se vjet”, deklaron Vasilika Vjero, drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve.

Sipas Tatimeve, në total për periudhën janar-korrik shitjet e raportuara nga biznesi janë rritur me 15 për qind krahasuar me vjet.

“Sigurisht që do të shohim se sa realisht kjo do të përkthehet në pagesa shtesë, por dua të theksoj se edhe shpenzimet që deklarojnë bizneset do të jenë subjekt kontrolli”, thotë Vjero.

Por sipas Vjeros, rritja e raportimeve është rezultat edhe i luftës ndaj evazionit, veçanërisht në sektorin e turizmit ku gjatë verës u kontrolluan mbi 6.500 biznese.

“Janë rreth 2.300 tatimpagues të cilët janë penalizuar. Pra, 36 për qind. Sigurisht që këto biznese janë mbajtur nën vëzhgim dhe do të mbeten edhe më vonë”, – thotë Vjero. 

Pas sitës mbi bizneset e turizmit, Tatimet tani do të fokusohen në tre sektorë të tjerë, të cilët rezulton se kanë raportuar xhiro më të ulët se vjet.

“Si analizë e 7-mujorit ne na rezulton që ka një rënie të lehtë të prodhimit, ndërtimit dhe tregtisë, sektorë të cilët do të jenë subjekt i kontrolleve tona”, paralajmëron kryetatimorja Vjero.