Transmetuar më 05-09-2017, 08:55

Duket se kriza politike në Kosovë po shkon drejt zgjidhjes pasi partia Aleanca për Kosovën e Re e Behgjet Pacolllit i është bashkuar koalicionit PAN fitues të zgjedhjeve.

Gjatë pasdites së djeshme, Pacolli mori pjesë në një takim ku ishin të pranishëm Kadri Veseli, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limaj, liderët e forcave të tjera politike të PAN dhe marrëveshja u firmos.

Më herët mediat kishin raportuar se po diskutoheshin ende detajet e marrëveshjes që mesa duket është arritur.

Pas firmës, kreu i Partisë demokratike të Kosovës Kadri Veseli, tha se kjo marrëveshje ia hap rrugët vendit, ndërsa bëri me dije se brenda disa ditësh do të kryhet edhe procesi i krijimit të institucioneve. 

Mediat kosovare raportojnë se ka mundësi që seanca konstituive, ajo që gjatë javëve të fundit nuk u zhvillua kurrë, mund të mbahet që nesër. 

Behgjet Pacolli, anëtari i ri i koalicionit dhe lojtari që ndryshon ekuilibrat në skenën politike në vend, e cilësoi marrëveshjen si një domosdoshmëri që i jep rëndësi vullnetit të qytetarëve. 

Në të njëjtin kuadër, edhe i përzgjedhuri për Kryeministër, Ramush Haradinaj, e vlerësoi lart bashkëpunimin me Pacollin, duke shtuar se ardhja e AKR-së i jep vlerë më të madhe koalicionit.