Transmetuar më 05-09-2017, 17:25

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të shkrijë institucionin e Akademisë së Shkencave që në qeverinë e tij të parë, prej disa muajsh.

Këtë e evidenton një dokument që shikoni përbri këtij raporti, ku siç vërehet, nën Ministrinë e Arsimit, Kulturës, Inovacionit, Rinisë dhe Sporteve që do të krijohet, është parashikuar edhe Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor.

Në atë që do të quhet Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor do të përfshihen Qendra e Studimeve Albanologjike, Akademia e Shkencave, si dhe shumë institute për kërkim shkencor!

Këtë dokument, zyrtari i lartë i LSI, Luan Rama e komenton si fakt që demonstron qartë planin e Ramës për të shkrirë Akademinë, jo dje sikundër e shpalli publikisht por shumë kohë më parë.

“Farsa e Akademisë qenka farsë e qeverisë! Në dokumentin e dalë, projekt i Qeverisë së Tepsisë, është parashikuar përpara zgjedhjeve të 25 qershorit zhdukja e Akademisë së Shkencave”, – pohon z.Luan Rama.

Një ditë më parë, kryeministri Rama kërcënoi në rrjetet sociale se do t’i hiqen fondet dhe do t’i merret selia Akademisë së Shkencave nëse ajo nuk reformohet sipas kërkesës së Ramës.

Kërcënimi erdhi ndërsa në Akademi po zhvilloheshin zgjedhjet ku u bë riciklim pushteti, kryetari u bë nënkryetar dhe nënkryetari sërish kryetar si disa vjet më parë.

Menjëherë pasi u shpall rikthimi i Gudar Beqirajt në krye të Akademisë, Edi Rama shpalli vendimin që të priten fondet dhe t’i kalojnë Universitetit të Tiranës. /noa.al/