Transmetuar më 08-09-2017, 10:46

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri gjatë mbledhjes së katërt të Njësisë së Menaxhimit të projektit për gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP), i cili ësthë zgjatim i projektit TAP, u ndal në rëndësinë e tij.

Ai shprehu besimin në takimin e sotëm, se për këtë projekt do të gjendjet mbështetja e duhur nga Shetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

“Shprehim bindjen se takimi i sotëm do të bëjë të mundur zhvillimin e mëtejshëm të projektit. Qeveria shqiptare ka mbështetur zhvillimin e projektit TAP, që deri në fazën aktuale është plotësuar në mashën 50%. Duhet të gjejmë opsione për zgjidhje të përhershme. Ky projekt nuk do të jetë vetëm zgjatim i TAP, por do të ofrojë zgjidhje për sigurimin e energjisë në vendin tonë”, u shpreh Gjiknuri.

Ai tha se projekti do të ketë rol për gazifikimin e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Por në këtë drejtim nënvizoi se IAP ka pasur barriera teknike dhe se kërkon mbështetjen e vendeve të BE.

Nga ana e tij ambasadori amerikan Donald Lu i pranishëm në aktivitet tha se SHBA e ka mbështetur gjithmonë këtë korridor, së bashku me interkonjeksion Greqi-Bullgari, do të rrisë shumëllojshmërinë e furnizimit me energji për vendet e Ballkanit.

“Në Shqipëri qeveritë kanë treguar mbështetje për TAP, nuk ka simbol më të fuqishëm për integrimin në BE. Për konsumatorët shqiptar, e ardhmja sjell mundësi për investime të reja”, u shpreh Lu.

Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin shtoi se Bashkimi Europian është muskuli pas këtij projekti.

‘Jemi të kënaqur për ecurinë për projektet e gazit në Shqipëri dhe në rajon. Gazifikimi i Kroacisë, Bosnjes dhe Malit të Zi, interesat dhe përfitimet janë të qarta për Shqipërinë dhe Ballkanin. Në muajt e fundit në Shqipëri mbështetja te energjia hidrike ka pasur pasoja, prandaj duhet të kalojë në kanale të ndryshme furnitore.Gazifikimi i Ballkanit i bën vendet jo vetëm më të ndërlidhura, por edhe më afër BE”, deklaroi ambasadorja.

Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), projekti për realizimin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian (IAP) është i dyti për nga rëndësia strategjike që paraqet jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për vetë vendet e rajonit.

Sipas të dhënave, ky projekt parashikon realizimin e një gazsjellësi të gjatë 516 kilometra, i cili do të nisë nga qyteti i Fierit në rajonin e Shqipërisë së Mesme, duke u lidhur me TAP-in. Për të kaluar nga Mali i Zi, Bosnja dhe do të përfundojë më pas në Split të Kroacisë.