Transmetuar më 08-09-2017, 22:44

Legjenda e Brazilit dhe futbollit botëror, Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pele, shprehet se ndihet krenar për ngritjen në majën e futbollit botëror të talentit brazilian Nejmar.

Kur flet për 25-vjeçarin, Pele shfaqet mjaft pasionant pasi duket se rrëmbehet edhe nga kujtimet e së shkuarës. Nejmar i evokon Peles rininë e tij, karrierën e shkëlqyer që nga ngritja me Santosin e më pas me Brazilin. Gjatë një interviste që 76-vjeçari dha në Barcelonë u shpreh se njerëzit e pyesin për Nejmar gjatë gjithë kohës.

“Të gjithë duan të dinë si ndihem unë kur e krahasojnë atë me mua. Ajo që mund të them është se ndihem krenar për këtë futbollist të ri. Im bir ka qenë trajner i të rinjve tek Santos dhe unë e njoh atë e të atin e tij prej shumë vitesh. Jam shumë krenar që ai është një produkt i Santos dhe shpresoj shumë që të jetë po aq fatlum sa dhe unë në karrierën e tij si futbollist”, shprehet Pele.

Në të vërtetë janë të shumtë lojtarët që përgjatë viteve i kanë cilësuar si Pele i ri, por asnjë prej tyre nuk ka arritur të ngjitet deri në piedestalin e Brazilianit. Pele e drejtoi Brazilin në tre fitore të Kupës së Botës, si dhe numëron një rekord prej 1281 golash në karrierë.

Edhe Nejmar si Pele ishte ylli i Santosit, por tek Barcelona gjërat ndryshuan, Braziliani ishte pjesë e trekëndëshit me Lionel Mesin dhe Luis Suarez. Gjatë prezantimit tek Barça në 2013, Neymar deklaroi për mediat katalanase se ndodhej atje për të ndihmuar Messin, ndërsa sot pas largimit tek PSG ai e cilësoi Mesin si sportistin më madhështor që ka parë në jetën e tij ndërkohë që tashmë për të është koha e sfidave të reja në karrierë.

Gjatë 9 viteve të fundit “Topi i Artë” është fituar ose nga Mesi repsektivisht 5 herë, ose nga Ronaldo katër herë, ndërkohë që pritet që në muajin dhjetor portugezi të fitojë të pestin.

“Tani është momenti që Nejmar të shfaqë gjithë talentin e tij. Mendoj se kalimi tek Parisi ishte vendimi më i mirë për Nejmar. Aty do të ketë mundësinë të shfaqet siç është, një gjigand pa hijen e askujt. Besoj se ai do të jetë ndër lojtarët më të mirë në Kupën e Botës Rusi 2018”, përfundon Pele.