Transmetuar më 09-09-2017, 23:15

Nga Joseph E. Stiglitz

Uragani Harvey ka lënë pas jetë pezull dhe dëme të stërmëdha në prona, vlerësuar në rreth 150-180 miliardë dollarë. Por stuhia që goditi brigjet e Teksasit për shumë ditë me rradhë ngre pyetje të thella edhe mbi sistemin ekonomik e politik të Amerikës.

Është ironike, natyrisht, që një ngjarje e lidhur me ndryshimet klimaterike ndodh në një shtet që është shtëpi e kaq shumë mohuesve të ndryshimeve klimaterike – dhe ku ekonomia varet shumë nga energjitë fosile që e shkaktojnë ngrohjen globale. Natyrisht, asnjë ngjarje e veçantë klimaterike nuk mund të lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e gazrave me efekt serë në atmosferë. Por shkencëtarët kanë parashikuar prej kohësh që rritje të tilla do të rrisin jo vetëm temperaturat mesatare, por edhe luhatshmërinë e motit – dhe në veçanti ndodhjen e ngjarjeve ekstreme të motit, të tilla si Uragani Harvey. Siç konkludoi Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimaterike shumë vite më parë, “ka prova se disa ekstremitete kanë ndryshuar si pasojë e ndikimeve antropogjenike, përfshirë rritjen e përqendrimit në ajër të gazrave me efekt serë.” Astrofizicisti Adam Frank në mënyrë të qartë shpjegoi: “ngrohtësia më e madhe do të thotë se më shumë lagështi do të ketë në ajër, gjë që do të thotë edhe reshje më të mëdha.”

Që të jemi të qartë, Hustoni dhe Teksasi mund të mos kenë ndikuar shumë në vetvete në rritjen e gazrave me efekt serë, megjithëse ato mund të kishin marrë një rol më aktiv në shtytje për politika më të forta për klimën. Por autoritetet vendore dhe të shtetit mund të kishin bërë një punë shumë më të mirë për përgatitjen për ngjarje të tilla, të cilat e godasin këtë zonë herë pas here.

Si reagim ndaj uraganit – si dhe për të gjetur fonde për riparime – çdokush kthehet nga qeveria, njësoj siç bënë në periudhën pas krizës ekonomike të vitit 2008. Sërish, është ironike që kjo po ndodh tani në një pjesë të vendit ku nevoja për veprim si shoqëri injorohet shumë shpesh. Nuk qe më pak ironike ngjarja kur titanët e bankingut në SHBA, pasi patën predikuar një bibël neoliberale mbi zvogëlimin e qeverisë dhe eliminimin e rregulloreve që ndalonin disa nga aktivitetet e tyre më të rrezikshme për shoqërinë, u kthyen nga qeveria në kohën kur patën nevojë.

Ka një leksion të qartë që duhet të mësohet nga episode të tilla: tregjet në vetvete janë të paafta për të siguruar mbrojtjen për të cilën shoqëria ka nevojë. Kur tregjet dështojnë, siç bëjnë shpesh, veprimi si shoqëri bëhet një domosdoshmëri.

Dhe, njësoj si me krizat financiare, ka një nevojë për veprim parandalues kolektiv për të pagëzuar ndikimin e ndryshimeve klimaterike. Kjo do të thotë që duhet të sigurohemi që ndërtesat dhe infrastruktura të ndërtohen në mënyrë të tillë që t’i bëjnë ballë ngjarjeve ekstreme, dhe që të mos vendosen në zona që janë më të prekura dhe më të rrezikuara nga dëmtimet e rënda. Kjo do të thotë gjithashtu se duhet të mbrojmë sistemet mjedisore, në veçanti zonat e lagështa, të cilat mund të luajnë një rol të rëndësishëm në absorbimin e ndikimit të stuhive. Do të thotë gjithashtu që duhet të eliminojmë rrezikun që një katastrofë natyrore të sjellë edhe shkarkim të kimikateve të rrezikshme në natyrë, siç ndodhi në Huston. Dhe do të thotë se duhet të kemi plane të përshtatshme reagimi ndaj ngjarjeve të tilla, përfshirë edhe evakuimin.

Investimet efikase të qeverisë dhe rregullimet e forta janë të nevojshme për të realizuar këto objektiva, pavarësisht kulturës politike që dominon sot Teksasin e zona të tjera. Pa rregullime të përshtatshme, individët dhe firmat nuk kanë incentiva për të ndërmarrë masat e përshtatshme mbrojtëse, për shkak se ata e dinë se pjesa më e madhe e kostove të ngjarjeve ekstreme do t’i ngarkohen në kurriz të tjerëve. Pa rregullime dhe planifikime të përshtatshme publike, përfshirë rregullimet për mjedisin, përmbytjet do të jenë në të ardhmen edhe më të rënda. Pa planifikim të përshtatshëm për reagim ndaj katastrofave dhe pa financimet e duhura, çdo qytet mund të vihet në dilemën në të cilën e gjeti veten Hustoni: nëse qyteti nuk urdhëron evakuim, shumë mund të vdesin; por nëse urdhëron një evakuim, njerëzit do të vdesin në kaosin që sjell evakuimi ndërsa bllokimi i trafikut mund të parandalojë njerëzit të dalin nga zona e rrezikut.

Amerika dhe bota po paguajnë një çmim të lartë për devocionin që kanë aktualisht ndaj ideologjisë ekstreme anti-qeveri të përqafuar nga Presidenti Donald Trump dhe partia e tij Republikane. Bota po paguan, për shkak se emetimet e akumuluara të gazrave me efekt serë nga SHBA janë më të mëdha se sa emetimet e çdo vendi tjetër; edhe sot, SHBA është udhëheqës botëror të emetimet e gazrave serë për frymë. Por edhe Amerika po paguan gjithashtu një çmim të lartë: vende të tjera, edhe vendet e varfra në zhvillim, si Haiti apo Ekuadori, duket se kanë mësuar (shpesh me kosto të mëdha vetëm pas ndonjë katastrofe të madhe) se si duhet të menaxhohen katastrofat natyrore.

Pas shkatërrimit të Nju Orlinsit nga Uragani Katrina në vitin 2005, mbylljes së pjesës më të madhe të qytetit të Nju Jorkut nga Sandy më 2012, dhe tashmë shkatërrimit të shkaktuar në Teksas nga Harvey, SHBA mundet dhe duhet të veprojë ndryshe. SHBA ka burimet dhe aftësitë për të analizuar ngjarje komplekse dhe pasojat e tyre, dhe të formulojnë dhe zbatojnë rregullore dhe programe investimi që pakësojnë efektet negative mbi jetët dhe pronat.

Ajo që Amerika nuk ka është një këndvështrim koherent nga një qeveri nga ata në të djathtë, të cilët, duke punuar me interesa të veçanta që përfitojnë nga politikat e tyre ekstreme, vijojnë të flasin me të dyja anët e gojës së tyre. Para një krize, ata rezistojnë ndaj përpjekjeve për rregullim dhe kundërshtojnë investimet dhe planifikimet nga qeveria: pas krize, ata kërkojnë – dhe marrin – miliarda dollarë për t’i kompensuar për humbjet e tyre, edhe pse këto humbje mund të kishin qenë lehtësisht të parandalueshme.

Dikush mundet thjeshtë të shpresojë që Amerika, si dhe vendet e tjera, nuk do të kenë nevojë për më shumë katastrofa natyrore për t’u bindur për leksionet që ka dhënë Uragani Harvey.