Transmetuar më 10-09-2017, 21:30

Zvicër

Taulant Xhaka është rikthyer të luajë si titullar për Bazelin, por skuadra e tij u mposht në shtëpi me rezultatin 1-2 përballë Lozanës në ndeshjen e vlefshme për javën e 7 të Super Ligës së Zvicrës. Benjamin Kololli ishte autori i golit të parë të Lozanës në minutën e 55-të, gol që vendosi barazimin momental 1-1 në shifra.

Gjelbrim Taipi dha asistin e golit të St. Gallen në barazimin 1-1 të arritur në transfertë ndaj Zyrihut, por 4 minuta më vonë, në të 55-tën, u ndëshkua me karton të kuq direkt. Ndërkohë Albian Ajeti e ndoqi të gjithë takimin nga stoli.

Greqi

Andi Lila luajti 63 minuta në barazimin 0-0 që skuadra e PAS Janinës regjistroi ndaj Atromitos në kampionatin grek. Ndërkohë, surprizë ishte barazimi i sotëm 1-1 i Olimpiakosit të Besnik Hasit në fushën e Ksanthit, por me sa dukej kampionët në fuqi të Greqisë e kishin mendjen më shumë te sfida e mesjavës në Ligën e Kampioneve.

Hungari

Liridon Latifi ka debutuar sot me fanellën e Pushkash Akademi në kampionatin hungarez të futbollit, duke u aktivizuar në minutën e 82-të të ndeshjes që skuadra e tij fitoi me shifrat 3-1 përballë Ujpeshtit.

Poloni

Nuk ishte një javë e mirë kjo për Legian e Armando Sadikut, e cila u mund me shifrat 2-1 me përmbysje nga Slask Vroclava. Sadiku edhe pse ishte 90 minuta në fushën e lojës, nuk arriti të jepte kontributin e tij për të shënuar, pavarësisht rasteve që kishte, duke shpërdoruar mundësinë për të kthyer Legian në kreun e renditjes së kampionatit polak.

Sllovaki

Ruzhomberok i Kristi Qoses vazhdon të paraqitet mjaft mirë në kampionat, ku lufton për një vend në Ligën e Europës. Skuadra e mesfushorit shqiptar fitoi sot me shifrat 2-1 përballë Mishalovce, në një ndeshje ku Qose luajti si mbrojtës në krahun e majtë për shkak të emergjencave me dëmtimet në skuadër./PanoramaSport.