Transmetuar më 12-09-2017, 07:43

Zbardhet motivi i plagosjes së mbrëmjes së djeshme në kryeqytet në zonën e “Pazarit të Ri”, ku u qëllua me armë zjarri një biznesmen.

I plagosur mbeti Pëllumb Gjoka, pronari i një hoteli në Tiranë, i cili në konflikt e sipër me një tjetër person u qëllua me armë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të hënës në zonën e “Pazarit të Ri” ku Kleant Musabelliu, 43 vjeç, me detyrë specialist i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme, plagosi me armë zjarri 46-vjeçarin Pëllumb Gjoka, të cilin e zuri plumbi në pjesën e këmbës.

Nga hetimet e paraprake mësohet se djali i të dyshuarit me atë të të plagosurit janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Në sherr janë përfshirë edhe Pëllumbi dhe Kleanti, të cilët ishin takuar në zonën e “Pazarit të Ri” për të biseduar në lidhje me konfiktin e ndodhur midis fëmijëve të tyre.

Mësohet se biseda midis tyre, ka kaluar në konflikt, ku Musabelliu, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të Pëllumb Gjokës, i cili ka mbetur i plagosur në njërën këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

I dyshuari si autor i ngjarjes u arrestua nga policia pak pas plagosjes. /a.y/noa.al